Analize

Shtigjet ligjore duken të mbyllura.Si do të hyjë Sali Berisha në zgjedhjet e 6 marsit?

Nga Mentor Kasa- Primaret që Sali Berisha thotë se ka nisur me bazën e Partisë Demokratike për identifikimin e kandidatëve për zgjedhjeve e pjesshme vendore në gjashtë bashkitë e mbetura pa kryetarë nuk kanë asnjë efekt juridik.

Në Kodin Zgjedhor nuk ka asnjë hapësirë interpretimi për të gjetur ndonjë shteg ligjor të ngjashëm me atë ish-Kryeministri pretendon se gjeti në statutin e Partisë Demokratike për të mbledhur firmat e delegatëve dhe thirrur Kuvendin Kombëtar të partisë më 11 dhjetor, ku u vendos shkarkimi i Bashës.

Që Basha juridikisht nuk është shkarkuar ende e përforcoi edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e fundit, ku Ivi Kaso u paraqit si gjithmonë në këtë institucion, si përfaqësues ligjor i PD-së. Problemi është se Basha e kishte zëvendësuar me Indrit Sefën, që në parti ka marrë postin e Sekretarit të Çështjeve Ligjore.

Vendimi i Celibashit për të mos njohur Ivi Kason në thelb është një vendim që do të thotë se kandidatët e Sali Berishës për zgjedhjet e pjesshme vendore nuk mund të regjistrohen nën logon dhe siglën e Partisë Demokratike, pavarësisht se ata mund kenë dalë nga një proces i brendshëm zgjedhor i bazës së kësaj partie.

Por si do t’i regjistrojë Berisha kandidatët e vet? Në varësi të bashkive, janë disa rrugë që mund të ndiqen.

E para, regjistrimi i tyre si kandidatë të pavarur dhe më pas dhënia e mbështetjes në fushatë me siglën, logon, ngjyrat e flamujt e Partisë Demokratike.

Nëse do të ndiqej kjo rrugë, atëherë Sali Berisha dhe mbështetësit e tij duhet të kishin nisur procedurat e mbledhjes së firmave për zgjedhësit për t’i dorëzuar në KQZ për regjistrimin e këtyre kandidatëve si të pavarur. Në këtë rast, nga gjashtë bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet, vetëm në Shkodër Sali Berishës mund t’i duhet që të mos mbledhë firma, nëse kandidon Voltana Ademin.

Sipas Kodit Zgjedhor, kryetarët e bashkive që rikandidojnë si të pavarur nuk kanë nevojë për mbledhjen e firmave nga zgjedhësit për t’u regjistruar, por mjafton dorëzimi i dokumentacionit provues që janë kryetarë në gjashtë muajt e fundit.

Ademi mund të jetë një prej kandidateve të Berishës në këto zgjedhje, ndërsa për pesë bashkitë e tjera Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit duket se do të zgjedhin rrugën e regjistrimit të tyre nën siglën e partive të tjera, por dhënien e mbështetjes së siglës së Partisë Demokratike.

Kjo të çon te strategjia që po mundohet të përmbyllë Sali Berisha, përmes ftesave që ka dërguar për aleatët e Partisë Demokratike, nga Agron Duka, te Dashamir Shehi, Nard Ndoka dhe Fatmir Mediu. Një ftesë jozyrtare i ka shkuar edhe LSI-së dhe sipas disa zërave edhe me ofertën e lënies fushë të lirë në Bashkinë e Rrogozhinës, ose të Lushnjes.

Këto janë mundësitë ligjore reale që ka Komisioni i Rithemelimit të PD-së për të regjistruar kandidatët e vet, ndërsa idealja për ta do të ishte një vendim i shpejtë i gjykatës që do të njihte statutin e Partisë Demokratike të miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Kjo ka pak gjasa që të ndodhë, të paktën para zgjedhjeve të 6 marsit. Gjykata e Tiranës ka caktuar një seancë në mes të shkurtit për shqyrtimin e kërkesës së dorëzuar nga Lulzim Basha për regjistrimin e statutit të korrikut 2021, por për kërkesën e Berishës nuk ka dhënë asnjë datë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë