Thuhet se shtëpia pasqyron shpirtin e njeriut. Po shtëpitë e futbollistëve? Ka nga ana që duan luksin e shfrenuar, ka të tjerë që duan vila, një apartament komod dhe me hapësirë, por ka edhe nga ata që jetojnë ende me prindërit. Varet nga mosha, nga gustot dhe nga të ardhurat e kontratave dhe të përfitimeve nga rrjetet sociale, siç është rasti i Aubamejang, i cili ka ndërtuar një shtëpi fantastike, duke shpenzuar 16 milionë stërlina. “Më pëlqen luksi, jeta jetohet vetëm një herë”, – ka thënë sulmuesi i Arsenalit. Le të shohim me radhë shtëpitë e disa prej futbollistëve më të njohur…

Kristiano Ronaldo ka një shtëpi në Madrid. Agjencitë imobiliare gjykojnë se vlera e vilës së tij shkon diku te 6 milionë euro. Për portugezin nuk është asgjë, gati e 1/5-ta e vitit të punës. Bëhet fjalë për 800 metra katrorë, 7 dhoma gjumi, një kopsht prej 3 mijë metrash katrorë, 2 pishina dhe disa garazhe të bollshëm për makinat e tij luksoze.

Një “plesht” në një shtëpi super të madhe. Lionel Mesi nuk është kursyer aspak dhe arkitekti i tij ka vënë në punë fantazinë për numrin 10 të Barcelonës. Një shtëpi e jashtëzakonshme dhe në vend të kopshtit nuk do të mungonte, sigurisht, një fushë për të luajtur, ku Mesit i pëlqen të driblojë qenin e tij.

Si anglez, Uejn Runi, nuk i devijon dot stilit “british”. Shtëpia e tij është me arkitekturë tipike britanike. Është një miks i goditur i stilit, dizajnit dhe komoditetit. Në brendësi të vilës, duke marrë në konsideratë edhe klimën, ka edhe një pishinë të mbuluar. Pastaj, edhe disa fusha futbolli, tenisi dhe golfi.

Tierri Henri ka zgjedhur Nju Jorkun si bazë. Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Monakos, pasi ka dominuar skenën e futbollit anglez me fanellën e Arsenalit, ka preferuar të “ankorohet” në USA. Ai ka zgjedhur një dupleks në rrethinat e Nju Jorkut. Dy kate me një sipërfaqe totale prej 5600 metrash katrorë brenda dhe 4500 metrash jashtë.

Shumë interesante dhe tërësisht ekologjike zgjedhja e ish-lojtarit të Mançester Junajtid dhe Anglisë, Gari Nevil. Ai e ka ndërtuar shtëpinë e tij në kodër, në harmoni të plotë me natyrën. Një shtëpi në formën e një luleje, e gjitha në “respekt” të zonës përreth. Gjithçka jeshile dhe shumë e bukur për t’u parë.

Krejtësisht i kundërt në shije me ish-shokun e skuadrës është Devid Bekham. “Spice boy” ka ndërtuar një kështjellë të vërtetë, duke shpenzuar pa limit. Një shtëpi e stilit “Beckhingam Palace” për nga detajet dhe rafinimi. Vila e ish-futbollistit anglez, që vlerësohet 38 milionë euro, ka edhe një sallë kinemaje brenda, një pishinë të mbuluar dhe një kopsht me ajër të kondicionuar. Për të mos i munguar asgjë, Bekham ka edhe një vilë në Beverli Hills.

Në mes të familjeve Berkham dhe Runi ndodhet vila e Didier Drogba. Edhe ish-futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka zgjedhur të jetojë në një shtëpi tipike angleze për nga detajet arkitekturore. Banesa e ish-sulmuesit të Çelsit është në mes të gjelbërimit, gjithmonë duke respektuar stilin british.

Mauro Ikardi, i shumë përfolur kohët e fundit për çështjen e rinovimit me Interin, është shumë i lidhur me Milanon. Futbollisti argjentinas banon në një shtëpi pranë stadiumit “San Siro”. Një banesë e adaptuar me të gjitha kushtet: pishinë e mbuluar me pamje nga stadiumi, 400 metra katrorë, 7 dhoma gjumi dhe 7 tualete dhe një tarracë të pafundme. Vlera? 3 milionë euro.

Edhe pse rezulton se në llogarinë e tij bankare ka vetëm 6 euro, Ronaldinjo nuk jeton aspak keq, po të kemi parasysh vilën e tij. Braziliani ka një shtëpi ëndrrash, me pamje nga oqeani. Një shtëpi që vendosi ta lëshonte me qira gjatë Botërorit të Brazilit. Për çfarë shifre? Në kontratë parashikohet se për ta pasur këtë vilë për një natë, duhet të paguash 11000 euro.

Andres Iniesta nuk është se ka shpenzuar shumë për shtëpinë e tij, nëse kemi parasysh mundësitë e tij financiare. Asnjë iluzion. Mesfushori spanjoll, i cili ka shkruar historinë me fanellën e Barcelonës, ka vendosur të shkruajë edhe emrin në vilën e tij në Fuentalabila.

Një zgjedhje e thjeshtë edhe për Zherard Pike, i cili ka pasur parasysh dy gjëra, kur ka blerë shtëpinë. Për mbrojtësin spanjoll dhe familjen e tij, mjaftojnë 800 metra katrorë. Pike është kujdesur edhe për privatësinë, duke evituar komshinjtë kuriozë. Ai ka blerë edhe shtëpitë pranë të tijës!

Edhe Nejmar është nga ata tipa që nuk e mendojnë fare shifrën e shpenzimeve, kur bëhet fjala për shtëpinë. Mjafton të themi se vila e tij ka vlerën e 28 milionë eurove. Luks pa fund. Jashtë ka pishina, palestër dhe fusha tenisi. Braziliani do ta kalojë kohën e rikuperimit mes luksit të çdo lloji. Ka edhe një port të vogël aty pranë, kështu që mund ta shmangë shumë lehtë trafikun në çdo moment.

Frenk Lampard nuk është i dhënë pas vilave. Mesfushori që bëri historinë me Çelsin ka vendosur të jetojë në Londër, në zemër të qytetit, por me disa komoditete, kuptohet. Sigurisht, apartamenti i tij nuk është një si gjithë të tjerët. Është një pallat i vogël i gjithi i tij, me 9 dhoma gjumi, 12 tualete.

Ka edhe ndonjë nga ata që nuk e kanë marrë ende në dorë jetën e tyre. Aleksander Arnold, lojtari i Liverpulit, prej shtatorit të vitit të kaluar jeton në shtëpi me prindërit. Është një njeri me “këmbët në tokë”. Fama nuk e ka ndryshuar, është ende tradicional. Madje, nuk e ka problem të merret edhe me punët e shtëpisë, duke i dhënë një dorë nënës së tij.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje