Arredim

Shtëpitë më të bukura të yjeve gjatë shekullit të fundit

Që nga koha e yjeve të filmave pa zë deri tek influencuesit e mediave të shekullit XXI, publiku gjithmonë ka pasur dëshirë të shohë ambientet se ku jetojnë këta të famshëm ndërkohë që kultura e tyre ka evoluar hap pas hapi.

Një libër i ri i titulluar “AD at 100: A Century of Style”, i cili shënon 100-vjetorin e revistës “Architectural Digest”, bën një kthim në kohë në setet fotografike më të paharrueshme të revistës ndërkohë që flet për evolucionin e dizajnit të brendshëm që nga koha e artë e Hollywood-it deri tek trashëgimtaret Jenner.

“Shumë yje të kulturës pop e kanë lejuar revistën të futet në zonën e tyre private për të ekzaminuar versionin e tyre të një jete perfekte”, shkroi kryeredaktorja e revistës Amy Astley në parathënien e librit. “Ne kemi parë Fred Astaire në shtëpinë e tij në Beverly Hills, Kate Moss në dhomën e saj të veshjes në Londër, Frank Gehry duke na prezantuar shtëpinë e tij të ëndrrave në Santa Monica të cilën e projektoi për veten dhe të shoqen, David Bowie në ishullin e tij të fshehtë...” dhe lista vazhdon.

E krijuar në vitin 1919 në Los Angeles, revista ka eksploruar cepat e shtëpisë dhe hapësirat argëtuese të ideuara nga Barbara Streisand, Mariah Carey, Jennifer Aniston, Ricky Martin, Margherita Missoni, Marc Jacobs dhe Kris Jenner.

Për disa pronarë shtëpish, rinovimi ishte rezultati i një procesi të menduar me kujdes. “Rezidenca private e Shtëpisë së Bardhë jo vetëm që ka reflektuar shijet tona por mbart edhe historinë krenare të kësaj ndërtese”, tha Michelle Obama ndërsa bënte një tur në rezidencën presidenciale.

Disa të tjerë kanë qënë më ekzotik, si Robert Downey Jr., i cili në shtëpinë e tij në Hamptons ka vënë një mulli ere gjigand dhe në brendësi të saj mbizotërojnë ngjyrat e ndritshme dhe arti. “Ne nuk e përcaktuam që të bënim diçka të paqartë. Ne thjesht na pëlqen pak fantazi”, tha Downey për Architectural Digest. “Dhe ne padyshim që nuk na pëlqen e mërzitshmja”. Libri gjithashtu përfshin disa nga dizajnuesit dhe arkitektët të cilët u kanë dhënë formë këtyre ndryshimeve, por vëmendjen më të madhe e merr klientela e famshme.

Zakonisht pasi bëjnë të pamundurën për të vënë në jetë krijimin e ëndrrave të të tjerëve, dizajnuesit i përkushtohen po aq shumë detajeve kur bëhet fjalë për shtëpitë e tyre. Për shembull dizejnuesja Elsie de Wolfe, e cila përkrahu printet e kafshëve dhe luksin e rehatshëm, krijoi diçka të ngjashme në shtëpinë e saj në Varsailles. “Mbretërit, burrat e shtetit, gjeneralët, artistët – të gjithë i admironin reflektimet e tyre në pasqyrën e saj magjike dhe kërcenin në festat e saj në kopsht”, shkroi mikesha e Wolfe, Tony Duquette.

Arkitekti i famshëm Axel Vervoordt i cili dizejnoi shtëpinë e Kanye West dhe Kim Kardashian u tregua më praktik gjatë krijimit të apartamentit të tij me stilin e Venecias së shekullit XV. “Kur arkitektura është e mërzitshme, ti vendos shumë gjëra. Ndërsa kur është kaq madhështore, ti vendos shumë pak”, tha ai për revistën.

Edhe pse kanë një skuadër të tërë dizajnuesish mbrapa, shumica e të famshmëve duan që vizitorët të largohen nga shtëpitë e tyre duke kuptuar se ka qënë kreativiteti i tyre ai që i ka udhëhequr, siç bëri ylli i “Friends”, Jennifer Aniston, kur rimodeloi rezidencën e saj në Bel Air, e cila fillimisht u dizajnua nga arkitekti modernist A. Quincy Jones.

“Nëse nuk do isha një aktore, do doja të isha dizejnuese. E dashuroj procesin”, tha Aniston. “Ka diçka tek zgjedhja e pëlhurave dhe përfundimet që ushqen shpirtin tim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë