Gazeta Si – Ceremonia e hapjes së bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, është shoqëruar nga një shfaqje spektakolare në ajër.
Në qiell u panë fillimisht 2 avionë të tipit F-16 Euro-fighter F-2000 (prodhohen në vende europiane), të cilët u ngritën nga baza ajrore italiane e Avianos dhe ndaluan më pas për të testuar pistën e bazës së Kuçovës.
Në bazë ndodhen të dislokuar edhe avionët F-35, F-16 (prodhim amerikan) si dhe dronë që së shpejti do të demonstrojnë fluturimin e parë mbi këtë bazë taktike.
Dronët, një prodhim turk, do të drejtohen nga pilotë amerikanë e italianë, por do të përdoren gjerësisht edhe nga vendet fqinje pjesë e NATO-s.
Në këtë bazë janë vendosur edhe 2 helikopterët “Black Hawk”. Ndërkohë më herët është bërë një provë me dronët “Bayraktar”.
Nuk ka munguar pjesëmarrja e shumë ushtarakëve të lartë, zyrtarë të NATO-s ministra të qeverisë Rama, përfshirë vetë kryeministrin, por edhe deputetë të opozitës.
Në përurimin e kësaj baze mbajti fjalim ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major, Arben Kingji, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane, David Wisner, i dërguari nga Ministria turke e Mbrojtjes, ministri Italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe presidenti Bajram Begaj.
Baza Ajrore Taktike e NATO-s do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.
Gjenerali i NATO-s, Pablo Sanchez De Lara, është shprehur gjatë ceremonisë së inaugurimit se Shqipëria është më e gatshme më shumë se sa kurrë për të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e sigurisë dhe paqes.
Gjenerali u shpreh se “duhet të jemi të gatshëm edhe për planet dhe operacionit e NATO-s”. Ndërsa theksoi se Shqipëria do të ndihet më e sigurtë dhe e mbrojtur brenda aleancës euro-atlantike.
Ministrit Italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili mori pjesë në ceremoni vendosi fokusin e fjalës së tij në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa tha se kjo bazë është mesazh i qartë për përballimin e sfidave të së tashmes dhe së ardhmes.
Ndërsa gjenerali turk, Göksel Kahya në hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë tha se kjo bazë do jetë një kontribut për aleancën në sigurinë rajonale dhe globale.
Ai tha se Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe strategjik në Ballkan, për paqen dhe stabilitetin e përhershëm.
Kjo bazë deri më sot ka shërbyer për stërvitjen e pilotëve shqiptarë, ndërsa tashmë ka një funksion më të gjerë, në shërbim të misioneve të NATO-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.