Pesë nga 12 personat e akuzuar fillimisht për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, i kanë shpëtuar akuzës. SPAK ka përfunduar hetimin për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kamëz në janar të vitit 2020, duke dërguar në gjyq vetëm shtatë persona, pasi për pesë të tjerë hetimi është pushuar.
Sipas prokurorisë, urdhërues të rrëmbimit janë shtetasit Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj që ndodhen në burg jashtë Shqipërisë.
SPAK bën me dije se ka dërguar për gjykim të pandehurit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe për shtetasit Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.
Ndërkohë prokuroria e posaçme ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim, Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi sipas akuzës nuk provohet që këta persona të kenë kryer veprat penale përkatëse.
Sipas prokurorisë, nga hetimi rezulton se të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri.
Kjo, pasi sipas tyre, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi prej 260 kg kokainë në Portin e Portsmouthit në Angli, që iu përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Mbretërinë e Bashkuar. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur gati dy vite më parë, trupi i Jan Prengës ende nuk është gjetur nga autoritetet. Ndërsa tratativat për lirimin e Prengës dhe dorëzimin e kokainës së vjedhur ishin në zhvillim e sipër mes dy grupeve, duket e Jani ka ndërruar jetë nga dhuna e ushtruar nga rrëmbyesit dhe situata më pas ka dalë jashtë kontrollit.
Policia, për një periudhë të gjatë ka kryer kërkime në zonat pranë resortit në Shkozet, por pa mundur të gjejë trupin e pajetë të 46-vjeçarit. Prokurorët shpresonin që njërin prej të arrestuarve ta kthenin në bashkëpunëtor të drejtësisë, por nuk ia dolën.
Pas masës së sigurisë ‘detyrim parqitje’ për anëtarët e fisit Hajri, vetëm kopshtari i resortit, i fiksuar nga kamera e sigurisë me lopatë në dorë kur trupi Jan Prengës futet në një furgon të bardhë, Festim Bexhdili, qëndroi në burg. Por në deklaratën e fundit me emrat e rinj të akuzuar, SPAK nuk e citon emrin e tij.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 janar 2020 dhe prej më shumë se një vit trupi i tij nuk është gjetur. Kompleksi ‘Golden’ në Shijak u kthye në skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij.
Në pamjet e e siguruara nga dosja hetimore, shihet se trupi i 49-vjeçarit është nxjerrë nga automjeti ‘Range Rover’ dhe është futur në një furgon të bardhë për t’u zhdukur më pas.
Ende nuk ka asnjë gjurmë apo informacion se çfarë është bërë më viktimën. Edhe pse janë mbyllur hetimet ende nuk janë identifikuar të gjithë personat që kanë qenë në garazhin e hotelit. Aktualisht në burg është vetëm Festim Bexhdili, kopshtari i cili pastron garazhin nga gjaku i 49-vjeçarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.