Ngjarje

Lufta me flakët në Karaburun, dërgohen 3 helikopterë. U kërcënua edhe baza e Pashalimanit

Për të tetën ditë radhazi, situata me përhapjen e zjarreve në vend vijon të mbetet shqetësuese. Flakët nuk janë shuar ende plotësisht në Karaburun të Vlorës, një prej vatrave më të mëdha në këtë qark. Pavarësht ndërhyrjes nga ajri, nga Forcat e Armatosura, vatrat vijojnë të mbeten të rrezikshme.

Pas mbledhjes gjatë natës, Komiteti i Mbrojtjes Civile miratoi autorizimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Ministrisë së Mbrojtjes për të përdorur kapacitete dhe fonde shtesë, në rast të emergjencës, përtej atyre që kanë në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me subjekte private apo nga jashtë vendit.

Procedura do të nisë këtë të martë, duke kontraktuar operatorë të tjerë për t’i vënë në dispozicion 3 helikopterë të cilët do të luftojnë me flakët në Karaburun.

"Duhet të shmangim me çdo kusht përhapjen e zjarrit drejt Parkut të Llogarasë”, - tha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi pas mbledhjes së Komitetit të Mbrojtjes Civile, e cila u mbajt pas mesnatës duke u gdhirë e marta (3 gusht).

Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmë nga vendet fqinje dhe Turqia por fakti që ato po përballen me zjarre edhe më të mëdha e bën të pamundur.  

Helikopteri i ardhur pas remontit ka punuar në dy vatra, atë të Dukatit dhe Karaburunit deri në orët e pasdites, por ende ka nevojë për ndërhyrje. Ndërkohë që ushtria dhe zjarrfikësit kanë punuar me rrethanore për të vënë nën kontroll flakët.

Djegia e pyjeve dhe kullotave në Karaburun ka shkaktuar edhe re të mëdha tymi të cilat kanë mbuluar Orikumin dhe zonën bregdetare përreth.

Edhe në Kuç të Vlorës janë regjistruar vatra të zjarrit. Aktualisht vatra aktive zjarri në Vlorë ka edhe në kodrat e Radhimës. Ndërkohë zjarri mbi fshatin Tragjas është aktiv por që nuk rrezikon banesa vetëm shkurre dhe pemë.

Shpëtoi Parku i Llogarasë, por u kërcënua Pashalimani

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ishte në Vlorë për të monitoruar nga afër situatën e zjarreve në Karaburun. Ai tha se në këtë zonë është përqendruar, ushtria si dhe forcat ajrore dhe tokësore.    Sipas tij, flakët kërcënuan dhe bazën ushtarake të Pashalimanit.

“Flakët kërcënuan dhe bazën ushtarake të Pashalimanit. Ne, me çdo çmim do ta mbronim bazën, por dua të falënderoj ata që e shmagën. E vetmja vatër aktive serioze është në Karaburun. Jemi përqëndruar me mjete ajrore dhe tokësore”, tha ministri i Mbrojtjes, i cili shtoi se për shuarjen e flakëve janë angazhuar 200 efektivë.

Peleshi e quan arritje shmangien e prekjes së parkut të Llogarasë nga flakët. “Kemi shmangur prekjen e parkut të Llogarasë. Helikopteri ka dhënë impakt të kosiderueshëm por duhet thënë se puna njerëzore është e pazëvendësueshme. Pushteti vendor ka pasur dhe vullnetarë kemi tejkaluar dhe situatën e vështirë në dy fshatra të Fierit, në orët e para të mëngjesit është fikur edhe zjarri në Mamurras. E vetmja vatër serioze ka mbetur Karaburini duke përjashtuar disa vatra të tjera që nuk përbëjnë më problem”.

Në Mamurras zjarri shkrumbon gjithçka

Po ashtu, nga flakët u përfshi një ditë më parë edhe kurora me pisha në zonën pyjore të Mamurrasit pranë lagjes “Demokracia”. Pamjet filmike tregonin se zjarri kishte përfshirë një sipërfaqe të madhe toke, duke djegur shkurre dhe pisha.

Përgjatë natës në ndihmë të forcave zjarrfikëse shkuan edhe forcat ushtarake të Zall Herrit. Ndërkohë mëngjesin e të hënës, raportohet se zjarri është vënë nën kontroll gjatë natës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë