Gazeta Si - Në organizimin e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, kanë marrë pjesë 6 persona, ku të paktën 5 prej tyre kanë qenë shtetas të huaj. Secili prej tyre ka pasur detyra të veçanta, nga porositësi, informatori, deri te atentatori.
Akuzat e ngritura janë vrasje për gjakmarrje e vrasje të kryer në bashkëpunim, ku dyshohet se ekzekutimi është porositur nga të afërm të familjes Lekstakaj, në hasmësi me Nikulajt prej dekadash.
LEXO EDHE:
- VIDEO/ Pamje të rënda! Momenti kur vritet biznesmeni në Shëngjin, autori profesionist përshëndet viktimën, afrohet dhe qëllon
- Vrasja e biznesmenit Nikulaj/ Gjenden pranë Gjadrit rroba të dyshuara si të autorit. Policia 'ndërton' lëvizjet e turistit anglez
Kështu, ekzekutori direkt, portugezi Ruben Saraiva, dyshohet që të jetë me origjinë nga vendet arabe.
Sipas të dhënave të policisë, njëri nga britanikët, pikërisht Steven Hunt që ka pasur rolin e vëzhguesit të afërt, mbërriti në Shqipëri në muajin shkurt.
Ai qëndroi 2 ditë dhe u largua përsëri. Më pas erdhi sërish bashkë me pjesën tjetër të grupit po në muajin shkurt.
Portugezi dhe 4 britanikët janë pritur në aeroportin e Rinasit nga Edmond Haxhia, që sipas grupit hetimor, është porositësi, organizatori dhe financuesi i atentatit.
Haxhia ka qenë duke i pritur në një lokal disa metra larg aeroportit në një zonë jo me shumë ndriçim. Por ka qenë një kamera sigurie që i ka filmuar të gjithë bashkë grupin prej 6 personash. Të gjithë janë dokumentuar që takohen së bashku me njëri-tjetrin.
Pas vrasjes së Nikulajt më 19 prill, të gjithë u larguan nga Shqipëria. Portugezi Ruben Saraiva, gruaja britanike Harriet Bridgeman dhe njëri nga britanikët e tjerë, u larguan drejt Greqisë nga pika kufitare e Kapshticës dhe besohet se ndodhen ende në shtetin grek. Britaniku Harry Simson rezulton që të jetë i dënuar disa herë në Britani të Madhe për agresion dhe drogë.
Mësohet se informatori anglez, Hunt, i cili prej ditësh qëndronte në hotelin e viktimës, është pikasur nga kamerat e Aeroportit të Rinasit që në një nga tualetet të ketë hyrë dhe ka ndërruar rrobat.
Ndërkohë që vrasësi portugez Ruben Saraiva është larguar nga pika kufitare e Kapshticës dhe ka mbërritur në në rrugë tokësore për në Turqi, me distancion final Britaninë e Madhe.
Sakaq, pamje të reja tregojnë lëvizjet e vrasësit të biznesmenit Ardian Nikulaj, një javë më parë në Shëngjin.
Ekzekutori, i cili sipas policisë dyshohet se është portugezi Ruben Saraiva, siç shihet në video (lart), vjen rreth e rrotull kompleksit të Nikulajt, përpara se të futet brenda ku zbraz breshëri plumbash në drejtim të 51-vjeçarit.
Kështu, në organizimin dhe ekzekutimin e këtij atentati morën pjesë 6 persona. Shqiptaro-britaniku Edmond Haxhia, 4 britanikët, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, si dhe portugezi, Ruben Saraiva.
Sa i përket, shqiptaro-britanikut Haxhia, ai është nip në familjen Lekstakaj, dhe prej tre muajsh kishte mbërritur në Shqipëri, duke qëndruar herë në Shkodër dhe herë tek disa miqtë e tij në fshatin Kakarriq të Lezhës.
Ndaj dhe motori që përdori portugezi është zhdukur në këtë fshat dhe ende e kësaj dite nuk është mundur të zbulohet.
Të gjitha shpenzimet për akomodimin, sigurimin e motorit, gjetjen e armës tip TT dhe mbërritjen e shtetasve anglezë në Shqipëri, janë financuar nga Edmond Haxhia. Dyshime për financim të kësaj vrasjeje, janë ngritur dhe ndaj dy vëllezërve, Elton dhe Klodian Lekstakaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.