Njerez

Shqiptarja që u dedikohet nxënësve amerikanë në vështirësi, nominohet për Global Woman Awards

Ëndrra e saj e hershme ka qenë që të bëhej dikush, të ishte e suksesshme në realizimin e objektivave dhe dëshirave të saj.

Dhe siç historia ka treguar, njerëzit që ia dalin vetë mbanë, kanë një rrugëtim të gjatë e të vështirë përpara.

Jonela Hasani është e vetmja shqiptare e nominuar për Global Woman Awards në kategorinë e grave frymëzuese.

Jonela Hasani

Ajo është bërë anëtare në Global Woman Club që në dhjetor të vitit 2020.

“Më datën 16 Shkurt 2021 Global Woman Club më dërgon një ftesë që unë isha nominuar me çmimin “Inspirational Global Ëoman of the Year 2021 Award” (Gruaja Globale frymëzuese e Vitit 2021) dhe gjithashtu të marr pjesë në Global Woman Summit 2021. Ndihem shumë krenare dhe mirënjohëse për nominimin tim si finaliste në mesin e grave nga e tërë bota. Për të fituar këtë çmim prestigjoz duhet të kryet votimi. Votimi ëshë i hapur deri në 2 Mars, 2021. Global Woman Summit 2021 do të zhvillohet në datën 5-8 Mars 2021. Ky është Samiti i 5-të i Global Ëoman Club, që do zhvillohet në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë Samit do të marrin pjesë personazhe të mëdhenj nga e gjithë bota të profesioneve të ndryshme që hapin gjurmët e trasformimit, fuqizimit dhe zhvillimit”- tregon Hasani për Gazetën “Si”.

Ky nderim është pjesë e atij rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm të saj.

Jonela Hasani prej 20 vitesh jeton në shtetin e New Yorkut, pasi vendosi të largohej nga Shqipëria.

Asokohe ishte vetëm 19 vjeç dhe sapo kishte përfunduar shkollën e mesme “Ismail Qemali” me rezultate të shkëlqyera. Pa përkrahje, me mbështetjen morale vetëm të vëllait të saj më të madh, 25 vjeçar atëherë , arriti ti mbijetonte kontinentit të largët dhe të realizonte ëndrrën e saj me sukses.

Por ajo thotë se ka qenë realisht e mundimshme dhe sfilitëse e gjithë rruga, e cila nuk ka përfunduar ende. Sepse ëndrrat vazhdojnë.

Kur emigrova drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ëndrra ime ka qenë që të bëhesha dikushi në jetë. Kjo ëndërr më ndiqte gjithmonë dhe pse nuk dija se nga tia filloja dhe çfarë doja të arrija. Shpresa dhe dëshira që kisha brenda meje më mbante të motivuar dhe më jepte shtytje që të merrja iniciativën e vetme për çdo gjë në jetë. Nuk mund të shmang frikën që gjithmonë më ka ndjekur në çdo hap që kam bërë dhe në çdo vendim që kam marrë. Frika, është pika ime më e fortë që më bën të dal nga vetvetja dhe të marr përsipër timonin e jetës time në dorë. Nuk kam patur asnjë mbështeje ekonomike; prindërit i kam patur në Shqipëri dhe unë jam përballur me jetën e vështirë dhe po ashtu dhe të ashpër të New Yorkut në një moshë shumë të re. Çdo gjë që e kam arritur në jetë, është me forcat e mia, me shumë sakrificë, mundim dhe kam patur shumë netë që nuk i numeroj dot, kur kam qendruar pa gjumë, por ia kam dalë mbanë. Objektivi im përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë që çdo gjë që kam arritur në drejtim të jetës time profesionale, ta vë në dukje dhe të vlerësohem.”-tregon Jonela Hasani.

Ajo rrëfen se pjesmarrja në këtë eveniment është krenari dhe privilegj, jo vetëm për të si individ, familjen e saj, të afërmit dhe rrethin shoqëror, por për të gjitha femrat shqiptare dhe shqiptarët në Botë. Jonela tregon se përgjatë rrugëtimit të votimit, mbështetja e shqiptarëve nga e gjithë bota ka qenë shumë e ngrohtë dhe e madhe, ku me shumë dashuri, po e mbështesin për një fitore për këtë çmim.

“Me pjesëmarrjen time në këtë eveniment, më jepet mundësia të njihem me personazhe të mëdhenj nga e gjithë bota, të profesioneve të ndryshme dhe të kem mundësine të ndaj objektivat e mia profesioniale që unë aktualisht ushtroj.”- thotë ajo.

Jonela në shtetin e New Yorkut punon si School Counselor (Këshilltare Udhëzuese) në  një shkollë të mesme trasferuese e quajtur Manhattan Comprehensive Night and Day High School. Misioni i kësaj shkolle është të ndihmojë nxënësit e grupmoshave (17 deri në 21 vjeç) , të cilët për arsye  dhe rrethana të ndryshme arsimimi i tyre ka qenë i ndërprerë.  Shkollimi dhe pozicioni i saj në Departamentin e Edukimit të Qytetit të New York-ut për 16 vjet, e ka mundësuar  të ushtrojë përvojën e fituar duke punuar shumë afër me nxënësit.

“Gjithashtu, më ka dhënë besueshmëri dhe përvojë që të përfshihem në mënyrë aktive në të gjitha aspektet e komunitetit shkollor.  Unë i kam kushtuar jetën time fëmijëve/adoleshentëve të varfër ose fatkeq, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të mbarojnë shkollën. Me punën dhe përkushtimin tim, unë përpiqem gjithmonë t'u hap dyert e suksesit këtyre njerzve kaq nevojtarë. Në shkollën ku unë punoj, kam krijuar një program "Klubi i Vajzave dhe Djemve" me mision dhe vizion për Vetë-Zbulimin dhe Fuqizimin, ku ata të jenë në gjendje të eksplorojnë dhe ndajnë cilësi të veçanta mendimesh, ndjenjash dhe ideshë. Me përvojën time në arsim kam frymëzuar shumë nxënës të bëhen të suksesshëm në jetën e tyre. Filozofia ime është “Çdo student mund të ketë sukses me ndihmën dhe udhëzimin e një mentori, që e sheh botën përmes syve të tyre drejt suksesit. Zemrat e tyre pasqyrojnë dashuri dhe dëshirë për të ecur drejt suksesit”, tregon ajo.

Tek iu kthehet kujtimeve të 20 viteve të shkuara, ajo tregon se ka ardhur në Amerikë në vitin 2001 si emigrante me një vizë të thjeshte si çdo emigrant tjetër shqiptar, ku ka hasur shumë vështirësi si në gjuhën angleze, dokumente dhe anën ekonomike.

“Dua të përmend që kam pasur mbështetje të ngrohtë nga vëllai im që është 6 vite më i madh se unë, që kishte ardhur 3 vite më përpara, Unë isha vetëm 19 vjeçe dhe vëllai në atë kohe ishte 25 vjeç. Ne të dy ishim shumë të rinj në moshë kur nisëm një rrugëtim të panjohur të jetës tonë në Amerikë. Prindërit tanë i kishim në Tiranë, kështu që si unë, dhe vëllai im e filluam jetën tonë nga fillimi, ku më shumë se kurrë na mungonte edukumi dhe ngrohtësia prindërore që na nevojitej asaj kohe.  Në vitin 2001, pa humbur kohë unë filloj një punë; merrem me procedurat e dokumenteve të mia  dhe futem në shkollë. Fillova punë në një dyqan lulesh që e kisha pranë me shtëpinë ku jetoja. Në atë kohë baza e pagesës për orë ishte 5 dollarë, nëse ishe me dokumente. Por, për fat të keq, une nuk kisha dokumentet dhe kjo e bënte më të vështirë për të marrë atë  pagë aq të ulët. Kështu që unë paguhesha vetëm $3.75 për orë dhe punoja me orë të zgjatuara. Në të njëjtën kohë dhe pse shkollën e mesme e kisha kryer në Tiranë në gjimnazin “Ismail Qemali”, të cilin e përfundova me sukses në Vitin 2000, e rekomanduar nga një person i afërt i familjes tonë, unë fillova përsëri studimet në një shkollë të mesme trasferuese e quajtur Manhattan Comprehensive Night and Day High New York”, tregon ajo. Më tej diplomohet në qershor të vitit 2003 me rezultate të shkëlqyera dhe gjithashtu del në gazetën New York Times (At School for Hardest Cases, Perseverance, Night and Day. "Dalja emrit tim në këtë gazetë, ka qenë dhe zanafilla e ëndrrave të mia në Amerikë. Dalja e emrit tim në gazetën New York Times më hapi rrugën për të filluar ëndrrën time. Kjo gazetë më ndihmoi për fillimin e procedimit të dokumenteve të mia,  gjë që ishte një arritje shumë e madhe për mua në atë kohë dhe më pas për pranimin tim në kolegj.  Pas diplomimit unë kam punuar disa punë si shitëse, por e kuptova që ëndrrat e mia nuk po më realizoheshin.  Punoja shtatë ditë në javë dhe akoma nuk kisha mundësi të paguaja faturat e në kohë. Papritmas, kuptova se kisha nevojë për më shumë sesa një diplomë të shkollës së mesme për të arritur një karrierë. Gjithmone kam dashur të arrija diçka, por e kam patur shumë të vështirë sepse nuk kisha asnjë përkrahje dhe ndihmë nga askush. Më duhej të punoja 2 punë me orë të zgjatura për të plotësuar nevojat e mia personale", thotë ajo.

Shkrimi në gazetë ku mori kthesë jetësimi i ëndrrës

Mandej, në pranverën e vitit 2004, regjistrohet në City College of New York si studente me kohë të pjesshme dhe gjithashtu në vitin 2005 vendos të punojë në ish shkollën e mesme ( Manhattan Comprehensive Night and Day High School) ku u diplomua dhe punon ende.

Në City College of New York , Jonela do të zgjidhte një degë ndërdisiplinore në fushën e Shërbimeve Njerëzore dhe do të dimplomohej në vitin 2014 në degën : Shërbime Njerëzore dhe Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale dhe Zhvillimore.

Ajo ndoqi më tutje studimet Bachelor dhe Master për të njëjtën fushë.

“Në punën time që bëj aktualisht, mund t'i kuptoj më mirë nevojat e nxënësve  dhe t'i ndihmoj ata të merren me shumë situata në të cilat gjenden. Gjithashtu, ndihem rehat në mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve për jetën pas shkollës së mesme, dhe paralajmërimin e tyre për mundësitë e zhvillimit personal që janë në dispozicion të tyre në shkollë dhe komunitete të tjera. Rruga ime drejt suksesit ka qenë unike dhe shumë e vështirë. Pa përkrahje dhe udhëzim për jetën, unë arrita që me çdo sacrificë, mundim dhe dedikim të bëhem dikushi në jetë. Nuk mund të harroj kurrë se si e fillova këtë rrugëtim, dhe kjo nuk mund të bëhej e realizueshme nëse nuk do kisha mbështetjen e disa njerëzve që më përkrahën dhe më dhanë dorën e ngrohtë dhe istitucionit ku unë punoj.”- rrëfen Jonela.

Gjatë karrierës së saj në SHBA, ajo është vlerësuar me disa çmime dhe puna e saj është pasyryar në disa medie të vendit.

Në Prill 2019,  ajo është nderuar me çmimin  "Community Champion Award” nga Federata e Bashkuar e Mësuesve / Shkollave të Mesme Akademike . Në Ceremoninë e Ditës së Unionit të Mësuesve që u mbajt më 5 Nëntor te vitit 2017 Joenla Hasani është nderuar me "Career Advancement Aëard" dhe “Above and Beyond Award”.  Në qershor të vitit 2016 është vlerësuar me çmimin “The James F. Dougherty Award for Excellent in Professional Counseling’ nga Center Intergrated Teacher Education ( (CITE), etj.

Në 10 vitet e ardhshme ajo e sheh veten edhe më lart.

“Kam dëshirë të vazhdoj doktoraturën, gjithmonë në fushën e edukimit dhe shpresoj shumë shpejt do ta realizoj. Gjithmonë kam patur një objektiv në jetë dhe jam mundur ti qëndroj besnike dhe shumë e vendosur deri në fund piksynimit tim ku gjithmonë e kam çuar deri në fund me sukses. Kështu që në 10 vitet e ardhshme, do kem arritje të reja dhe të sukseshme në fushën time profesionale.”- tregon ajo.

Në planet e së ardhmes ajo mendon se mund të kontribuojë edhe në vendin e saj.

“Shqipëria për mua është vendi im, ku kam lindur dhe rritur. Pavarësisht se jetoj në New York, me shumë nostalgji kujtoj fëmijërinë time. Po ashtu dhe shoqërinë time të vjetër. Jam në kontakt të vazhdueshëm me miqtë të rrethit tim familjar dhe shoqëror. Në New York, kam marrë pjesë në disa aktivitete të zhvilluara nga organizata të ndryshme Shqiptaro- Amerikane. Aktiviteti i fundit ka qenë një mbrëmje shume e veçantë për festën  e 7-8 Marsit të organizuar nga Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qirjazi”, me rastin e Ditës së Mësuesit dhe Ditës Ndërkombëtare të Gruas”, shprehet Jonela.

Ajo thotë se bazën e edukimit familjar dhe arsimor e ka marrë në Shqipëri, “ku më ka ndihmuar në hapat e mia në jetë në vendin ku aktualisht unë jetoj.”

Gjihmonë kam dashur të ndihmoj njerëzit. Nëse nuk do kisha shkuar në Amerikë, do kontribuoja në fushën e Psikologjisë.”- tregon Jonela duke theksuar “Jam Shqiptare! Kudo që shkoj them me plotë gojën që jam shqiptare. Madje në punen time unë mbaj një fotografi ku kam dale në “ United Nations” ku me shumë krenari pasqyroj vendin tim Shqipërinë.”

Global Woman Club ka ndërtuar komunitete në të gjithë botën si: Londër - MB, Paris - Francë, Amsterdam - Hollandë, Stokholm - Suedi, Oslo - Norvegji, Bruksel - Belgjikë, Vjenë - Austri, Frankfurt - Gjermani, Bukuresht - Rumani, Milano - Itali , Tiranë - Shqipëri, Singapor dhe Afrikën e Jugut dhe në SHBA - New York City, Chicago, Los Angeles, San Francisco dhe Dallas etj. Qëllimi është të fuqizojë gratë në nivel lokal dhe t’i lidhin ato globalisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë