Mode

Shqiptarja Nensi Dojaka fiton çmimin më prestigjioz të stilistëve të rinj

Nensi Dojaka, stilistja 28-vjeçare me origjinë shqiptare ka fituar çmimin prestigjoz LVMH (Moët Hennessy Louis Vuitton), që jepet çdo vit nga Louis Vuitton Foundation.

Në një ceremoni në Paris, ajo arriti të fitojë vendin e parë. Ky është një çmim shumë i rëndësishëm për të gjithë të rinjtë që po përpiqen t’ia dalin me sukses në tregun ndërkombëtar të modës pasi bëhet pikërisht për të mbështetur këto të rinj.

Nensi ka fituar 300.000 euro fond nga shtëpia e modës për vazhdimësinë e saj në këtë fushë.

Në kompeticion morën pjesë 1900 aplikantë nga 110 vende të ndryshme të botës dhe në një juri që kishte në panel: Virgil Abhol dhe Stella McCartney, si personat që merrnin vendimin definitiv.

Konkursi është kthyer me një fitues këtë vit pasi pandemia në vitin 2020 bëri që juria të ndajë paratë e çmimit në mënyrë të barabartë midis tetë finalistëve. Dojaka, e diplomuar në Central Saint Martins, është mjaft e njohur pasi krijimet e saj vishen nga Bella Hadid, Emily Ratajkowski dhe Kaia Gerber, duke u bërë një ikonë në internet.

Në fillim të këtij viti, një nga veshjet e saj u rendit në produktet më të kërkuara të Indeksit Lyst të vitit 2021, bashkë me veshje nga Bottega Veneta, Prada dhe Hermès. Ajo gjithashtu do të shfaqë koleksionin e saj të katërt në Javën e Modës në Londër këtë muaj.

Sipas Delphine Arnault, nënkryetare ekzekutive e Louis Vuitton dhe organizatorja e LVMH, juria, e cila përfshinte Kim Jones, Marc Jacobs, Stella McCartney dhe Virgil Abloh, ishte veçanërisht e impresionuar nga cilësia e punës së Dojakas, këndvështrimi i saj dallues dhe një biznes fillestar që kishte lulëzuar me sukses gjatë sfidave të pandemisë.

"Unë mendoj se të gjithë kemi parë një markë të re me potencial të vërtetë për t'u rritur", tha Arnault. “Ne jemi të bindur se ajo do të punojë fort që të arrijë të jetë më e mira dhe të zërë një vend përkrah më të mirëve në botë”.

"Nuk mund ta besoja se kisha fituar, isha e shokuar por unë jam gjithashtu e kënaqur sepse kam një vizion që dua ta ndaj me botën. Unë e dua trupin e femrës, e dua kurrizin dhe mendoj se veshja ime “e vogël”, me rrjetë dhe gjithmonë e zezë është ajo që i duhet çdo femre që do të duket seksi dhe elegante”, tha ajo pas ceremonisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë