Ngjarje

Shqiptari me shenja dhune në kokë e trup vdes në burgun francez, policia: U vetëvra!

Një tjetër shqiptar ka humbur jetën në rrethana misterioze në burgjet franceze. 36-vjeçari Mentor Rexha ka humbur jetën më datë 1 shkurt në një qeli ku mbahej nga autoritetet vendase, pavarësisht se më parë kishte kërkuar marrjen e statusit të azilantit.

Zyrtarisht, autoritetet franceze kanë deklaruar se 36-vjeçari është vetëvrarë, por familjarët e të ndjerit pretendojnë të kundërtën. Ata kanë publikuar në media foto të trupit të pajetë të të riut, ku dallohen qartë shenjat e dhunës në kokë, qafë dhe pjesët e tjera të trupit. Në bazë të këtyre hematomave, familjarët akuzojnë se 36-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e dhunës së gardianëve.

Familjarët kanë denoncuar edhe pasivitetin e Ambasadës Shqiptare në Paris. Ata thonë se kanë kontaktuar me këtë ambasadë për të ndihmuar në riatdhesimin e trupit të pajetë të Mentor Rexhës, por përgjigjia që kanë marrë pas është se ambasada nuk kishte fondet për këtë.

Në një reagim për “Shqiptarja.com”, ambasadori shqiptar në Francë, Dritan Tola nuk ka komentuar akuzat e familjarëve të viktimës, por thotë se atyre u është këshilluar që të kontaktojnë me shërbimet sociale në Shqipëri.

Mentor Rexha ishte nisur nga Shkodra në drejtim të Francës me shpresën e marrjes së statusit të azilantit dhe nisjes së një jetë më të mirë në Perëndim. Por, ai është arrestua nga policia franceze, që për djegien e makinave. Familjarët thonë se vetë Mentor Rexha nuk e ka pranuar asnjëherë këtë akuzë.

Rasti tragjik i 36-vjeçarit që ndërron jetë në burgjet franceze duke lënë pas mistere të mëdha është i dyti. Në 2017, një 23-vjeçar shqiptar, që gjithashtu kishte aplikuar për azil në Francë, përfundoi i vdekur pas një zënkë brenda në burg me të dënuar të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë