Shendet

Shqiptarëve po u del turpi nga psikologët

Tërmetet e vitit të kaluar dhe pandemia ua nxorrën turpin shqiptarëve. Ata tani kanë më pak drojë të konsultohen me psikologët dhe terapistët .

Ndryshoi mentaliteti apo nevoja?

Mes këtyre dy ngjarjeve të rënda dhe të vështira shumë shqiptarë kishin shqetësime sa nuk mundeshin më ti përballonin vetëm.  Psikologia Besjana Farruku e cila këmbëngul kur thotë “psikologjia është më e gjerë se ajo që ne shohim edhe dimë” thotë se ”Ajo që ndoshta i penalizon shqiptarët është mungesa e informacionit, gjendja jo e mirë ekonomike apo dhe kultura e shoqërisë”.  Megjithatë sipas asaj shërbimi i psikologut në Shqipëri filloi të merrte vëmendje pikërisht në tërmetin e nëntorit të 2019 ku shumë njerëz  ‘u detyruan’ të drejtoheshin tek psikologu.

Psikologe Besjana Farruku

Por nuk mungoi as oferta. Edhe psikologët gjatë kësaj kohe u bënë më të gatshëm për të ofruar këshillim psikologjik. Që më herët, para pandemisë psikologjia kishte  filluar të merrte më shumë formë por gjatë karantinës ky shërbim u ofrua falas online nga Urdhëri i Psikologut.

Besjana na tregoi se problemet që janë shfaqur gjatë pandemisë ishin të ndryshme! 

“Frikë nga virusi, izolimi bëri të përjetojnë ankth për shkak të prishjes së rutinës ditore, distancimi social, fakti që nuk takonin njerëzit e afërm, pagjumësi, mungesë interesi për të bërë gjërat e mëparshme, shenja nervozizmi. Edhe pse më parë në kulturën shqiptare të themi të drejtën ishte e vështirë që dikush ta pranojë se ka nevojë të shkojë tek psikologu, kjo për arsye se ndihen të paragjykuar nga shoqëria dhe më kryesorja, nuk arrijnë ta kuptojnë se kur ka ardhur koha të kërkojnë ndihmën e psikologut.”u shpreh ajo.

Gjërat ndryshuan më shumë pas karantinës. Psikologia tregon për Gazeta “Si” se është rritur kërkesa për seancë dëgjimore më shumë pasi njerëzit ishin të trishtuar dhe ndjeheshin të pashpresë dhe “nuk dinin se çfarë të bënin”. “Jo çdo lajm për virusin duhet të lexohet pasi diçka e tillë çon në ndjenja të rritura të frikës dhe ankthit.”ka përfunduar psikologia.

Psikologët këshillojnë se për të përballuar një gjendje stresi dhe shmangur gjendjen  e depresionit njerëzit duhet të lexojnë sa më shumë libra, të dëgjojnë muzikë, të mësojnë një gjuhë të re, të bëjnë diçka që kanë passion dhe më e rëndësishmja është të bëjnë aktivitete  fizike pasi ky është një nga shkaktarët kryesorë të depresionit dhe problemeve mendore gjatë pandemisë. Por psikologët kanë vërejtur se shqiptarët që “nuk kanë bërë asgjë, kanë qenë në limite të depresionit në krahasim me ato që kanë bërë aktivitete fizike të cilët deri diku kanë arritur ta mbajnë mendjen të shëndoshë”.

Studime të ndryshme tregojnë se në raste të tilla rëndësi të veçantë kanë zënë dhe fizioterapitë.  Por sa është rritur kërkesa për fizioterapi në Shqipëri? 

Fizioterapiste Denisa Lleshi, tregon për Gazeta “Si” se kërkesa për  fizioterapi është përgjysmuar me 50%, ndoshta për shkak të frikës së mosfrekuentimit të vendeve të mbyllura ose ambienteve që ofrojnë një shërbim shëndetësor.

Fizioterapiste Denisa Lleshi

Gjithashtu nga ato raste që janë paraqitur në klinikën e saj janë evidentuar cervikalgji e cila vjen si shkak i shkarkimit të stresit mbi cervikale(qafë). Ne kudo shohim një popullatë shumë të stresuar në këtë periudhë që përkthehet  edhe në vështirësi të ndryshme fizike. 

“Mungesa e aktivitetit fizik nga ana tjetër sjell problematika  të ndryshme mbi sistemin muskulo skeletal. Në përgjithësi të gjithë pacientët që kanë ardhur mbas pandemisë kanë shfaqur problem të shkaktuara nga qëndrimi në shtëpi pa aktivitete fizike.”u shpreh Denisa. 

Ermiri, fizioterapist tek “Fisiomed”tregon se për disa patologji si bursisti i supit apo hernia diskale kërkesat kanë qenë të larta në klinikën e tij.Vetë këto patologji japin dhimbje të forta, sa që as terapia farmakologjike e vetme pa fizioterapi nuk arrin ti qetësojë.

“Karantinimi ka qëlluar dhe me periudhën e pranverës ku dhe dhimbjet kronike apo psikosomatike riakutizohen. Fakti që nuk kanë mundur të lëvizin dhe të shkarkojnë stresin në këtë periudhë ka sjell dhe shumë raste me simptoma më të rënda të këtyre lloj pacientësh”, përfundon Ermiri.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë