Nga Gazeta “SI” – Kursimet e qytetarëve shqiptarë të siguruara në banka, nisën të rriten lehtë për muajin prill 2022 pas rënies që nga fillimi i këtij viti.
Sipas të dhënave statistikore të Bankës së Shqipërisë, nga marsi në prill, depozitat u rritën me 873 mln lekë, ose me 0.07%.
Rritja vjetore është 8.8%, me 100 mld lekë më shumë. Prilli i vitit të shkuar ishte muaji i parë që solli rritje të vrullshme të depozitave, për të rënë përsëri në fund të nëntorit 2021.
Për prillin 2022, të depozituara në banka ndodhen 1.228 triliardë lekë kursime.
Janari 2022 shënoi shifrën më të lartë të depozitave në vend, që nga viti 2006 kur BSH ka nisur raportimet. Atë muaj shqiptarët kishin 1.234 triliardë lekë të depozituara në banka, por tërheqja e parave në banka, nisi gjatë muajit shkurtit, që përkon edhe me rritjen e tensioneve në Ukrainë dhe problemet e tregjeve financiare.
Gjatë kësaj periudhe, përfaqësues të bankave tregtare, por edhe vetë Guvernatori i Bankës, Gent Sejko, thanë se sektori bankar ishte pothuajse plotësisht imun, për shkak të ekspozimit të ulët ndaj vendeve në konflikt.
Në një deklaratë të mëhershme, Sejko tha se vetëm 3.4% e totalit të kapitalit të bankave është me origjinë ruse.
Një analizë e mëhershme të Gazetasi.al, tregoi se konsumatorët, ndryshonin sjellje mbi depozitat sipas llojit të krizës që parashikohej. Në atë të 2008-s, depozitat u tërhoqën dhe në atë të 2020-s ato u rritën.
Në 2008-n, kur kriza nisi me rënien e gjigandëve të përbotshëm financiarë (Lehman Brother..etj) edhe në Shqipëri qytetarët tërhoqën depozitat, për t’i mbajtur ato në shtëpi ose për t’i shpenzuar për produkte jo bazike, duke rritur konsumin. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e cila zgjati deri në mbyllje të vitit 2009.
Por kriza e tanishme, referuar ekonomistëve botërore, nuk është natyrore dhe reagimi ndaj saj po ashtu i paparashikuar. Inflacioni po rritet nga mungesa e ofertës dhe jo për shkak të rritjes së kërkesës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.