Ngjarje

Shqiptarët sensibilizohen, çdo vit ka rritje të dhuruesve të gjakut

Dita e sotme është një ndër më të veçantat për fushën e mjekësisë dhe jo vetëm. Që prej vitit 2004 kur 14 qershori u përcaktua si Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, edhe në vendin tonë ashtu si në mbarë botën janë organizuar aktivitete, për të sensibilizuar qytetarët që të dhurojnë gjak të sigurt.
Gjaku, përveçse është një përbërës shumë i rëndësishëm i trupit tonë, është një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga asnjë industri farmaceutike, ndaj i vetmi burim është dhurimi nga vullnetarët. Kohët e fundit nevojat për gjak, janë gjithnjë e më të mëdha pasi përpos personave talasemik, tashmë edhe ndërhyrjet kirurgjikale dhe aksidentet, fatkeqësisht janë shtuar shumë.
Armand Pambuku, koordinator në nivel nacional për dhurimin e gjakut në kryqin e kuq, tha për Gazetën Si se nevojat për gjak, rrotullohen mes numrit 60 deri në 65 mijë njësi në vit. Sipas tij, numri i vullnetare vërtet ecën ngadalë, por nga viti në vit ka një tendencë në rritje.
“Kryqi i kuq Shqiptar ka qenë dallëndyshja e parë që ka nisur sensibilizimin e dhurimit të gjakut, më pas e kanë ndjekur edhe një sërë shoqatash të tjera. Kryesisht në kryqin e kuq ka rreth 13 mijë vullnetarë që na vizitojnë për të dhuruar gjak, po një pjesë e tyre selektohen për shkak të problemeve shëndetësore që kanë dhe ne arrijmë të marrim rreth 7000 njësi gjak, por ende kemi një shifër të vogël dhurimi në krahasim me nevojën,” shtoi Pambuku.

Pambuku shprehet se pjesa më e madhe e nevojës për gjak, mbulohet nga dhurimi familjar, ndërsa dhurimi i gjakut me pagesë është zvogëluar falë sensibilizimit të njerëzve. “Kjo ka qenë një tjetër nismë e kryqit të kuq dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të arritur që në shumë pak vite të kemi vetëm dhurime vullnetare, në mënyrë që të ndjekim standardet evropiane edhe në këtë drejtim,” shtoi Pambuku. Mesazhi i fushatës se Kryqit të Kuq ishte:  “Ju Faleminderit që më shpëtuat jetën”. Me qindra vullnetarë të organizuar nga të gjithë degët e KK, shpërndanë materialet e fushatës si fletë volante, fletëpalosje, postera për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë.

Sipas raporteve, vetëm 0.9 për qind e popullatës shqiptare dhuron gjak. Ndërsa, të dhëna të tjera tregojnë se ka një sërë sëmundjesh dhe patologjish ku është i nevojshëm gjaku. 540 njësi përdoren vetëm në qytetin e Tiranës brenda një jave. Në vendin tonë ka 9 dhurime gjaku për 1000 banorë ndërkohë që për nevojat do të ishin të nevojshme 20 dhurime gjaku për 1000 banorë.
Gjithashtu, në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, Ministrja Manastirliu apeloi për më shumë dhurime vullnetare, për të plotësuar nevojat me gjak.

“Shqipëria ka 10.8 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha. Nevojat e vendit për gjak janë 20 dhurime për 1 mijë banorë ndaj gjej rastin përsëri, bashkë me miqtë tanë artistë të bëjmë një apel për qytetarët, të dhurojnë gjak,” u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në hapjen e fushatës së dhurimit të gjakut në datën 8 maj e cila është edhe dita botërore e Talasemisë. Ndërkohë që prej asaj dite e deri më sot, fushata e ministrisë është shtrirë në të gjithë vendin.
Dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish. Gjaku i sigurt shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin, por shumë pacientë që i’u nevojitet transfuzion gjaku nuk e gjejnë atë në kohë dhe të sigurt. Mungesa e gjakut ka çuar në vdekje, si dhe në vuajtje nga sëmundjet e ndryshme.

“Sot mbyllim një fushatë intensive, ku dhurues nga e gjithë Shqipëria, nga institucione publike e private, njerëz të zakonshëm, dhurues periodikë por edhe shumë dhurues për herë të parë, personeli shëndetësor, artistë, politikanë dhe sidomos të rinjtë, u bashkuan në nismën tonë në ndihmë të fëmijëve talasemikë,” shtoi Manastirliu
Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut raportoi se, nëse vijojmë me këtë ritëm dhurimesh vullnetare, ka gjasa që do të sigurohet gjaku i fëmijëve talasemike, për të bërë një jetë normale si gjithë të tjerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë