Financa Personale

Shqiptarët preferojnë të marrin borxh nga familjarët më shumë se në bankë. Shpenzimet i tejkalojnë të ardhurat

Nga Gazeta ‘SI’ - Sipas vrojtimit të bërë nga Banka e Shqipërisë për gjashtë muajt e  parë të vitit 2023, rezulton që shqiptarët preferojnë të marrin borxh nga familjarët dhe të afërmit e tyre. 43% e familjeve të anketuara pohojnë kështu. Ky tregues është në rritje nga një vit më parë.

37% e familjeve raportojnë se kanë marrë kredi bankare në formë likuiditeti, karte ose overdraft. 20% kanë marr borxhë në formën e ‘mallit të papaguar’.

Qëllimi kryesor i huamarrjes mbetet konsumi, 37% të rasteve, ndikuar nga rritja e çmimeve në vend. Huaja për blerjen e një prone ose riparimi i saj 17% dhe për biznes në 15% të rasteve.

Dy format kryesore të pagesës së huasë vijojnë të mbeten pagesat me shumë të njëjtë çdo periudhë të caktuar muaj, 47% të rasteve.

Sipas peshës së borxhit ndaj të ardhurave, 70% e familjeve deklarojnë që kjo pagesë zë më pak se 30% të të ardhurave mujore. Nga ana tjetër, rreth 30% të familjeve deklarojnë se kjo pagesë e tejkalon 30% të të ardhurave dhe arrin deri në 50% të tyre. Për 7% të tyre borxhi shkon deri në 100% të të ardhurave.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2023, shpenzimet e familjeve shqiptare u rritën dhe të ardhurat u ulën, duke përkeqësuar dhe më shumë situatën financiare për ata me hua.

Rreth 59% e të përgjigjurve kanë deklaruar se “nuk presin të marrin hua të re në 6 muajt e ardhshëm”, ndërsa rreth 41% e tyre deklarojnë se e konsiderojnë mundësinë për të marrë/rimarrë një hua të re. Duke analizuar vetëm grupin e familjeve që planifikojnë të marrin një hua të re rezulton se rreth 57% e tyre janë “huamarrës të rinj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë