Financa Personale

5% e shqiptarëve nuk zotërojnë asnjë pronë. BSH: Janë më të prirur për të marrë borxh

Nga Gazeta ‘SI’ - 5% e familjeve shqiptare nuk zotërojnë asnjë pronë të patundshme. Kështu raporton anketa e fundit e Bankës së Shqipërisë për pasuritë e shqiptarëve, që kryhet me një numër të kufizuar pjesëmarrësish.

Në total, 95% rezultojnë se posedojnë të paktën një pronë. Nga kjo normë, 92% zotërojnë dy pasuri të patundshme, zakonisht kombinim i dy shtëpive të banimit apo shtëpi dhe tokë. Nga ana tjetër, 3% deklarojnë se zotërojnë “më shumë se 2 prona të patundshme”, (shtëpi dhe tokë/dyqan etj.).

Anketa e BSH-së synon të tregojë gjendjen financiare të familjeve shqiptare dhe fokusohet më shumë tek familjet huamarrëse.

Duke e fokusuar analizën vetëm në grupin e familjeve huamarrëse (256 familje), rezulton se këto familje deklarojnë gjithsej 357 prona të patundshme, ku 68% e tyre janë “shtëpi”, 29% janë “toka” dhe pjesa tjetër janë “dyqane” dhe “godina” dhe lloje të tjera pronash.

Në shpërndarjen e familjeve huamarrëse sipas numrit të pronave që zotërojnë, rezulton se: rreth 93% e tyre zotërojnë “1-2 prona të patundshme”. Në shumicën e rasteve këto prona janë një shtëpi banimi ose kombinimi i një shtëpie dhe një sipërfaqe toke.

Vetëm 1% e familjeve huamarrëse deklarojnë se zotërojnë “më shumë se dy prona” ndërkohë që rreth 6% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se “nuk zotërojnë asnjë pronë”.

Nga përgjigjet e dhëna lidhur me zotërimin e pasurive financiare nga familjet, rezulton se për periudhën e vrojtuar, 55% e totalit të kampionit (familje huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 75% e grupit të familjeve huamarrëse, “nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare”. Të dyja këto pesha janë rritur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.

Duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (përjashtuar rastet që “nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare”), rezulton se “depozitat dhe/ose llogaritë bankare” vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të kampionit të familjeve (51% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (50% e rasteve të raportuara).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë