Shendet

Shqiptarët po ruhen nga Covid-19, por po vdesin nga kanceri!

Kirurgia Lindita Shosha në Spitalin Amerikan është e shqetësuar, sepse përpos koronavirusit të ri në vendin tonë, ajo tregon për Gazetën “Si” se janë shtuar shumë rastet me tumor, të specifikave të ndryshme. Doktorja e shkencave Shosha ka ngritur alarmin se është i konsiderueshëm numri i personave me tumor që po humbin jetën, sepse pacientët shkojnë në spital në stadet e fundit të sëmundjes.
Ajo tregon për Gazetën “Si” se nga konsultat urgjente dhe të rasteve të rënda që janë kryer këto dy muajt e fundit dhe që pas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë për evitimin e konsultave rutinë, mjekja ka vënë re një shtim të rasteve.

“Jemi fokusuar dhe u jemi përgjigjur urgjencave kirurgjikale , rasteve onkologjike dhe situatave klinike te rënda që nuk presin dhe kërkojnë vlerësim në kohë për të diagnostikuar sëmundje që rrezikojnë jetën e pacienteve,” shprehet mjekja për Gazetën “Si”
Ndërkohë, në shërbimin e përgjithshëm onkologjik në QSUT, mjekët thonë se ka pasur një pakësim të vizitave, gjë kjo në kundërshtim me alarmin e proktologes Linidta.
Doktoreshë Shosha shprehet se nga diskutimet me koleget brenda strukturës dhe rastet që vijnë për diagnostikim në imazherinë e avancuar, ku vlerësohen e bëhet stadifikimi real i patologjive tumorale është vënë re se më dominanti ndër tumoret është kanceri i traktit digjestetiv me forma shumë agresive dhe metastatike, duke filluar me tumor krukenberg, gastrik adenokarcinoma, tumore të duodenit, e më pas tumori i gjoksit, karcinomatoza limfangitike (PCL) e të tjera.

Lindita Shosha

Mjekja shton se pacientët kanë arritur në spital në gjendje shumë të rënduar.
“Të paktën rastet që kam konsultuar personalisht , që kam kompletuar me egzaminime dhe diagnostikë imazherike, biopsi, bilance biokimike, kanë qenë raste tumorale agresive me prekje multiorganike, shumë të avancuara , të pamundura për t’ju nënshtruar interventeve kirurgjikale kurative jo e jo, po as paliative”, thekson Shosha.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se vdekjet nga turmoret zënë 16,9 % të vdekjeve gjithsej, duke u nisur nga numri i përgjithshëm që vitin e kaluar u raportua 21.804.
Sipas të dhënave vdekjet nga tumoret zënë vendin e dytë pas vdekjeve si pasojë e sëmundjeve të gjakut. Niveli i vdekshmërisë për këtë grup sëmundjesh është 128,9 për 100 mijë banorë. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të tretjes”, me 34,5 % dhe nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarrjes” me 24,1 %.

Foto ilustruese


Doktoreshë Lindita tregon për Gazetën “Si” se pacientët duhet të jenë të vëmendshëm për simptoma apo shenja shqetësuese,të mos i neglizhojnë , të mos i durojnë, të adresohen për ndihmë shëndetësore në qendrën më të afërt të banimit. Ndërsa për mjekët, Shosha ka një tjetër thirrje. Sipas saj mjekët duhet të jenë më të vëmendshëm në vlerësimin e pacientëve, për anamnezen klinike dhe kompletimin me ekzaminimet e nevojshme dhe mos t’i nisin në shtëpi pa u sqaruar situata reale, pavarësisht situatës nga Covid-19
“Në pamundësi të japin zgjidhje në zonat respektive, të nisen në qendrat më të specializuara të kryeqytetit. Mungesa e vigjilencës nga stafet mjekësore, vonesave të diagnostikimit dhe trajtim adekuat, sidomos të pacienteve onkologjike, përshkallëzohen shumë me shpejt, komplikohen me situata të vështira të papajtueshme me jetën. Diagnostikimi në kohë, le mundësi trajtimi dhe kurimi e është kyçi i zgjatjes së jetës dhe cilësisë së saj në këtë kategori të sëmurësh,” thekson mjekja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë