Gazeta Si - Lufta mes bandave të drogës në Ekuador dhe Kolumbi, ka detyruar trafikantët shqiptarë të zhvendosen në Peru.
Vendi amerikano-latin, ku prodhohet kokainë dhe transportohet përmes detit në Europë, ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit.
Mediat peruane, kanë publikuar fotografitë e dy shqiptarëve, Franc Malo dhe Gentjan Meta, “ushtarët” e të cilëve u kapën me 2.2 tonë kokainë në Trujillo.
Ndërkohë, që autoritetet policore i kanë shpallur në kërkim dhe kanë nxjerrë një urdhër-arresti ndaj tyre.
Dy bosët e trafikut të drogës, njiheshin edhe me pseudeonimet “Barbas” dhe “Pelado”.
Hynë si turistë, pjesë e kartelit "Los Blancos"
Ata kishin hyrë ilegalisht në Peru përmes Huaquillas, në kufi me Ekuadorin, në nëntor 2021 dhe ishin paraqitur si turistë.
Më pas ata nisën negociatat për transportimin e sasisë së madhe të drogës, e cila destinacion kishte Holandën.
Të dy ishin pjesë e kartelit të quajtur “Los Blancos” dhe mësohet se janë kapur nga kamerat e sigurisë në Trujillo, gjatë operacionit “Bitcoin”.
Më herët ata ishin fotografuar ë hotelin luksoz “QP Hotels Trujillo” në El Golf.
Policia nisi një ndjekje dhe vëzhgimin të tyre, që përfundoi me një operacion që u zhvillua të premten më 10 dhe të shtunën më 11 qershor në Trujillo dhe Callao.
Franci dhe Gentjani kishin mbërritur në Peru për t'u vendosur në Trujillo dhe për të eksportuar 2.2 tonë kokainë të lëngshme të kamufluar në një ngarkesë, e cila synohej të dërgohej në një kontejner përmes transportit detar me destinacion Roterdamin, Holandë.
Nga Ekuadori në Peru
Mediat peruane shkruajnë se prania e trafikantëve shqiptarë të drogës në Ekuador dhe Kolumbi është rritur në dekadën e fundit.
Këto organizata përfitojnë nga eksportet e frutave dhe produkteve të tjera bujqësore në Evropë, për të infiltruar kokainën në sasi të mëdha.
Megjithatë, episodet e fundit të dhunës midis organizatave kriminale shqiptare dhe organizatave të tjera kolumbiane dhe meksikane në territorin ekuadorian, i kanë inkurajuar ata të eksplorojnë në territorin peruan, sepse prodhimi i kokainës në vend është rritur dhe ka një furnizim më të madh.
Ardhja e Franc Malos dhe Meta Gentjan Metës në Trujillo, lidhet me interesin e shqiptarëve për të gjetur një mjedis më pak të komplikuar se ai ekuadoriani për të eksportuar kokainë në Evropë.
Shqiptarët që ishin krerët e grupit, do të paguanin drogën me monedhën virtuale “Bitcoin”, raportojnë mediat e huaja.
Destinacioni i kokainës ishte Holanda dhe do të shitej për 160 milionë dollarë.
Kontaktet dhe presioni ndaj "ushtarëve" peruanë
Sapo u vendosën në Trujillo, shqiptarët kontaktuan Ronny Silva León, 35 vjeç, një biznesmen që dominon menaxhimin e agroeksportit të produkteve ushqimore.
Sipas burimeve të policisë antidrogë, Silva prej disa kohësh ishte nën vëzhgim pasi dyshohej se punonte për organizata kriminale të trafikut të drogës.
Lëngu i shpragut vinte nga qyteti Trujillo në Lima dhe do të transportohej në rrugë detare nga Callao në Roterdam, Holandë.
Sipas bisedave telefonike të përgjuara, shqiptarët u kishin dhënë një afat trafikantëve në Trujillo për të hequr ngarkesën e drogës në qershor të këtij viti.
“Ne nuk kemi kohë, duhet ta nxjerr jashtë (mallin) menjëherë. Ata (shqiptarët) më bëjnë presion. Shpragu nuk mund të presë më”, i tha Ronny Silva, partnerit të tij, Ismael Jiménez.
Të enjten, më 9 qershor, trajleri i drejtuar nga Luis Vásquez Colquier, u largua nga qyteti i Trujillo në drejtim të portit të Callaos, pa e imagjinuar që agjentët e antidrogës po e ndiqnin.
Ai shoqërohej nga Luis Ramos Peláez, menaxheri i kompanisë Fresh Trade.
Një nga mafiet më të fuqishme në Europë
Policia më pas ishte në gjendje të arrestonte 7 peruanë. Ismael Jiménez dhe bashkëpunëtorët e tij, shqiptarë, Malo dhe Meta u arratisën.
Për policinë e antidrogës, mafia shqiptare do të tentojë sërish eksportin e drogës.
“Kjo mafie e drejtuar nga shqiptarët, kishte si qendër operacioni qytetin Trujillo, ku lehtësohej e gjithë logjistika për transportin e drogës përmes portit të Callaos. Destinacioni i tyre ishin portet e Evropës, kryesisht Roterdami, në Holandë dhe Anversa në Belgjikë”, - shpjegoi koloneli César Echevarría Cabrejos.
Ai raportoi se droga në zonën e prodhimit, ka një vlerë nga 1500 deri në 2000 dollarë për kilogram dhe nëse transferohet në Lima ose në portin e Callaos, vlera e saj trefishohet.
“Çmimi i drogës në kontinentin europian apo në Holandë, mund të arrijë në 100 mijë dollarë për kilogram”, tha oficeri i policisë.
Autoritetet policore konfirmojnë se operacioni “Bitcoin”, tregon se organizatat kriminale shqiptare kanë filluar të zhvillojnë aktivitete të trafikut të drogës në një shkallë më të gjerë.
Sipas Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), mafia shqiptare e drogës është një nga më të fuqishmet dhe më të frikshmet në Evropë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.