Ngjarje

Shqiptarët e Joachim Ladefoged

Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, shkruan në librin e tij, titulluar “Shqiptarët”, fotografi danez Joachim Ladefoged, të cilin e botoi në vitin 2000, pasi kishte kronikuar përmes lentes së tij periudhën e errët të ’97, me firmat piramidale dhe luftën e Kosovës, më 1999-ën.
Është një nga vendet e fundit që ka dalë nga komunizmi, shkruante për lexuesin e huaj ai dhe në vetëm dy vjet bëri kalimin e vështirë dhe të shpejtë në një demokraci pluraliste. Në janar të 1997-ës, një skemë piramidale kolapsoi dhe mijëra njerëz humbën kursimet e jetës. Menjëherë pas kësaj shpërthyen trazirat, bandat morën qytetet të tëra dhe lufta mbi kontrollin e drogës dhe armëve përshkallëzoi duke dalë jashtë kontrollit.

Shumë nga armët e grabitura në Shqipëri u trafikuan në Kosovën fqinj, ku dy milionë shqiptarë etnike jetojnë në tiraninë e Sllobodan Millosheviçit, që me dëshpërim do të mbajë Kosovën të bashkuar me fragmentet e ish Jugosllavisë. Përzierja e tensioneve etnike dhe furnizimi i freskët me armë i dha jetë ushtrisë guerile të njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK. Kur NATO nisi bombardimet ndaj serbëve më 1999-m, ndodhi edhe eksodi më i madh në Europë, qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Thuajse një milion njerëz mërguan dhe gjetën strehim në vendet fqinje. Në kthimin e tyre, tre muaj më vonë, refugjatët, u hakmorrën duke vrarë serbë të pafajshëm dhe të moshuar që nuk kishin të bënin me luftën, shkruan fotografi. Joachim Ladefoged ka punuar në më shumë se 60 shtete për revista si New York Times, The New Yorker, Mare, Newsweek, dhe TIME.

Ai ka marrë famë ndërkombëtare për mbulimin e luftërave dhe jetës së përditshme. Punon si fotograf i lirë prej vitit 1991. Pas librit “Shqiptarët”, i pari për të, më 2008 do të botonte monografinë “Pasqyra” dhe më 2009, ishte regjisor i filmit “Pasqyra” rreth jetës së bodybuilder-ave. Ai konsiderohet si një nga forcat drejtuese pas valës së re të foto-gazetarisë daneze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë