Ngjarje

“Shqipëria vend me rrezik Covid-19”. Ambasada gjermane: Mos udhëtoni

Ambasada gjermane në Tiranë ka këshilluar sot qytetarët e ekonomisë më të madhe europiane të shmangin udhëtimet drejt vendin tonë, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend me rrezikshmëri nga koronavirusi.

"Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri, ju lutemi që të merrni në konsideratë se Ministria e Jashtme Federale vazhdon të paralajmërojë mbi të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme (përfshirë arsye pushimi, pushime në vendlindje, vizita familjare etj.) për në Shqipëri. Kjo vlen deri më 31 gusht 2020”, shkruan ambasada në një postim në rrjetet sociale.

Ajo iu kujton qytetarëve gjermanë se në rast infektimi, në Shqipëri nuk do të marrin kujdes shëndetësor sipas standarteve gjermane dhe se ka mundësi të kufizuara testimi. Po ashtu ajo thekson se në dijeninë e Ambasadës Gjermane, në Shqipëri aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë në varësi të dëshirës teste për Covid-19.

“Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutemi të keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit mund t’ju ndihmojnë vetëm në një masë të kufizuar gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Shqipëri nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër të tjera ekzistojnë mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19”, thekson Ambasada.

Ajo njofton po ashtu se për ata që kthehen nga Shqipëria në Gjermani do të ketë karantinë 14 ditë.

“Në rast kthimi, karantine 14-ditore: Nëse jeni duke udhëtuar nga Shqipëria për në Gjermani – me rrugë ajrore apo tokësore me autobus ose automjete private – jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroni insitucionin kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlen për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pavarësisht qëllimit të udhëtimit”, përfundon ambasada.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë