Interviste

“Shqipëria të distancohet një orë e më parë nga Turqia”

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, një profesor i Universitetit të Nju Jorkut, paralajmëron Shqipërinë dhe Kosovën për rrezikun e ndikimit turk dhe thotë se është e qartë se objektivi i Recep Tayyip Erdoganit është të zgjerojë kontrollin e tij në Ballkan.

Alon Ben-Meir, një studiues në Qendrën për Çështje Globale të këtij Universitetit deklaroi se udhëheqësit e Shqipërisë e kanë akomoduar Turqinë për shkak të interesave reciproke dhe se ata duhet të distancohen nëse duan të afrohen me BE-në. Profesor Ben-Meir foli me kolegen Keida Kostreci edhe për ndikimin turk në Kosovë.

Profesor Ben-Meir, ju keni shprehur shqetësimin për ndikimin turk në Ballkan. Cili është thelbi i shqetësimit tuaj?

Shqetësimi që kemi ne qëndron tek axhenda e Presidentit Erdogan dhe axhenda e tij është të nxisë islamizmin ku të mundet, si edhe rikthimin e një varianti të Perandorisë Otomane dhe ai e ka thënë vetë një gjë të tillë. Ish-kryeministri i tij (Ahmet) Davutoglu dhe shumë zyrtarë me të cilët ne flasim rregullisht, tha se deri në vitin 2023, që përkon me 100 vjetorin e Republikës së Re Turke, do të ketë një pushtet dhe ndikim të ngjashëm me atë që Perandoria Otomane kishte gjatë 500 vjetëve që kishte në kontroll gjithë këtë zonë. Prandaj sipas mendimit tim, axhenda e tij është mjaft keqdashëse. Nuk jam i sigurt që ai po e bën këtë për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë, por ai do t’i tërheqë ato në orbitën e tij për t’i larguar nga Bashkimi Evropian.

Ai (Erdogan) po përdor fenë si instrument politik për të promovuar axhendën turke, veçanërisht në vende me shumicë myslimane. Shqipëria dhe Kosova janë kandidate të përkryera, pikërisht sepse edhe gjeografikisht dhe gjeopolitikisht, këtë do të bëjë Erdogani për të ushtruar kontrollin dhe ndikimin e tij në gjithë Ballkanin.

Alon Ben-Meir

Artikulli juaj i fundit fliste për rrezikun që ky ndikim paraqet për Shqipërinë dhe se ai po realizohet përmes investimeve, bankave, infrastruktuarës. Ju thoni se Shqipëria duhet të jetë e shqetësuar.

Pa diskutim. Shqipëria ka popullsi mbi 50 për qind myslimane dhe ai (Erdogan) ndjehet shumë komod të përpiqet të imponojë programin e tij islamik dhe ai po e bën këtë në disa mënyra, për shembull me investime. Ai po investon shumë në infrastrukturën shqiptare, duke ndërtuar dhjetra xhami. Në fakt ai po ndërton tani xhaminë më të madhe në gjithë Ballkanin. Ai kontrollon bankat më të mëdha. Turkish (Airlines) po ndërton aeroportin më të madh. Ajo që ai po përpiqet të bëjë është që përmes investimeve dhe nxitjes së programit islamik, nën maskën e shkëmbimeve kulturore, ai po depërton në Shqipëri, sepse me mendjen e tij kjo është një nga mënyrat se si ai mund ta zgjerojë orbitën e tij në gjithë Ballkanin dhe siç thashë më parë me një program të qartë, për t’i afruar më shumë këto vende me Turqinë, duke i larguar nga Bashkimi Evropian, veçanërisht tani që Shqipëria është në vijën e parë në përpjkjet për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai nuk do që kjo të ndodhë, veçanërisht sepse vetë Turqia nuk është më një kandidate e mundshme për t’u futur në Bashkimin Evropian. Prandaj ai po përpiqet t’i tërheqë këto vende tek Turqia dhe në thelb t’i përdorë në të ardhmen si barazpeshë ndaj BE-së duke thënë “unë jam në kontroll, unë kam ndikim të jashtëzakonshëm dhe se ata duhet të merren me mua, nëse duan të merren me shtetet e Ballkanit”.

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë kohët e fundit, mohoi se Turqia përbën kërcënim ndaj sovranitetit të Shqipërisë. Ku e shihni ju lidhjen mes këtyre investimeve dhe kërcënimit ndaj sovranitetit, që ju bën të mendoni se këto përpjekje duhet marrë seriozisht?

Alon Ben-Meir: Mendoj se udhëheqësit e Shqipërisë, janë të nënshtruar dhe Erdogani është shumë i zoti për të shfrytëzuar çdo lloj dobësie. Ky është njëri element. Elementi tjetër është se ka shumë korrupsion brenda qeverisë vetë dhe në këtë drejtim, tratativat me Turqinë për të përfituar favore nga qeveria turke dhe Erdogani vetë, është diçka që atij i pëlqen dhe që do të donte ta shihte të zgjerohej. Kështuqë ajo që shohim këtu është një reciprocitet interesash mes të dyja palëve dhe mua me duket se tani bëhet fjalë për një axhendë afatgjatë. Për Erdoganin është se si të rikthejë Perandorinë Osmane dhe të përdorë Ballkanin si bazë për këtë proces dhe kjo nuk është e vetmja zonë ku Erdogani po përpiqet të ushtrojë pushtetin turk, ai po përpiqet ta bëjë këtë edhe në zona të ndryshme të Lindjes së Mesme. Kjo është më e gjerë se Ballkani por Ballkani për të është një objektiv parësor në këtë moment.

Rama dhe Erdogan

 Sipas jush, udhëheqësit e vendit nuk e kuptojnë që po bëhen përpjekje për ndikim, apo ngaqë këto shqetësime po shprehen tani publikisht duan ta minimizojnë rëndësinë e tyre?

Unë nuk habitem aspak që ata tregohen aq shpërfillës ndaj këtyre akuzave. Nuk prisnim ndonjë gjë të ndryshme, sepse në të vërtetë kjo është metoda që ata por përdorin për të fshehur këtë marrëdhënie tinzare me Turqinë. Natyrisht që ata do ta mohojnë, por e vërteta është kjo: Shqipëria është një kandidate kryesore për në BE. Sa më shumë distancohet nga Turqia aq më mirë është për Shqipërinë, për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian dhe mendoj se populli shqiptar dhe qeveria shqiptare duhet ta kenë këtë parasysh. Pra po, mund të kesh marrëdhënie të mira me shumë vende, përfshirë Turqinë, por nuk duhet të lejosh një qeveri si ajo e Turqisë që të kontrollojë atë që ndodh në Shqipëri dhe shumë shqiptarë janë të shqetësuar nga ky qëndrim dhe e shohin si një qëndrim keqdashës nga ana e Erdoganit dhe jo si një qëndrim me vullnet të mirë nga ana e Turqisë, në mënyrë që të dyja vendet të përfitojnë sepse të dyja vendet mund të përfitonin nga investimet turke, por nuk është ky objektivi synimi kryesor i Erdoganit, siç thashë më parë.

Ju keni thënë se ky ndikim është shqetësues edhe për Bashkimin Evropian. A nuk mund të argumentohet se përderisa vetë Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave, ky nuk është një shqetësim aq i madh?

Shqipëria ka zhvilluar një marrëdhënie të mirë prej disa kohësh me Bashkimin Evropian dhe BE-ja nuk do të merrte në konsideratë një anëtar të ri, nëse ai vend nuk i zbaton standardet e BE-së përsa i takon të drejtave të njeriut, qeverisjes demokratike, sigurisht nuk duhet të ketë korrupsion. Nuk ka diskutim që Shqipëria është në atë drejtim, por mendoj se udhëheqësit bëjnë të pamundurën për të akomoduar Erdoganin dhe mendoj se ky do të ishte një gabim i madh sepse BE-ja po sheh me shumë kujdes dhe është shumë e pakënaqur me atë që po bën Erdogani në shumë vende, por veçanërisht në Ballkan.

Presidenti Erdogan nuk hezitoi të shprehte pakënaqësinë e tij ndaj masave të kryeministrit të Kosovës, pas deportimit të katër shtetasve turq nga Kosova, duke përmendur edhe faktin që Turqia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e saj. Sa i shqetësuar jeni për ndikimin turk në Kosovë?

Alon Ben-Meir, Schluz dhe Juncker

 Shqetësimi që kemi për Kosovën është edhe më i madh se ai për Shqipërinë. Nuk ka shumë që Erdogan tha Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Ai e sheh Kosovën si një koloni të Turqisë dhe ashtu e trajton. Ai po bën të njëjtën gjë edhe me Kosovën, duke u përpjekur ta fusë në orbitën turke, duke ndjekur të njëjtën metodë, duke investuar dhe duke bërë çdo gjë që mundet për të rritur ndikimin e tij, ndërsa nga ana tjetër bën çdo përpjekje për të dobësuar ndikimin që ka pasur në Kosovë lëvizja e Fetullah Gulenit. Ngjarja e deportimin të katër shtetasve turq ishte diçka që nuk ishte dëgjuar pothuajse askund tjetër. Pra ai (Erdogani) ndjehet pak a shumë i lirë të bëjë ç’të dojë në Kosovë dhe në këtë rast të fundit për fat të keq qeverisja e Kosovës është e lidhur me të sepse kanë nevojë për mbështetjen turke në shumë drejtime, sigurisht që kanë nevojë për investimet turke në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

 Kur thoni qeverisja çfarë keni parasysh, sepse incidenti tregoi në një farë mase se Presidenti dhe Kryeministri nuk ishin në një linjë?

Është e vërtetë, por nuk jam i sigurt. Ndjesia ime është se kjo ishte më shumë për konsum publik. Si ka mundësi që kreu i shërbimit të zbulimit të bëjë këtë operacion pa njoftuar presidentin? Dhe vërtet e shkarkoi shefin e zbulimit, duke dashur të demonstrojë se Kosova nuk është dakord me këto lloj aktivitetesh por a është ky një qëndrim, një politikë e vërtetë? Sepse po t’i shohësh marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Kosovës, duken shumë të afërta dhe ka shumë pak ndryshim ne e shohim me kujdes, ka shumë pak ndryshim mes dy vendeve përsa i takon niveleve të ndryshme të qeverive të të dyja palëve.

A mendoni se për të frenuar këtë ndikim, duhet të jetë BE-ja që të ushtrojë presion, apo vetë udhëheqësit duhet ta distancojnë veten?

Nëse BE-ja do që të dobësohet ndikimi i Erdoganit ndaj vendeve të Ballkanit, ajo duhet të ndërmarrë më shumë iniciativa, sidomos financiarisht në këto vende dhe të rrisë në mënyrë të konsiderueshme investimet në këto vende, sepse si Shqipëria, Kosova, Maqedonia – të gjitha këto vende – nuk janë në gjendje të mirë ekonomike. Nëse BE-ja do që të dobësojë ndikimin e Erdoganit në këto zona, duhet të investojë shumë më tepër në këto vende, veçanërisht tani me Shqipërinë që po diskutojnë hapat për të hyrë në BE.

Rama dhe Erdogan

Kjo është e ngjashme me atë që kërkoi kryeministri i Shqipërisë në Gjermani, duke i thënë Evropës që nëse donte të frenonte radikalizmin në Shqipëri, duhet t’i hapte dyert për anëtarësimin e saj. Por ky qëndrim nuk ka një vijë logjike sepse nga ana tjetër, ai vetë i mbrojti lidhjet me Turqinë. Cili është komenti juaj?

Ajo që do të shohë (Edi Rama) është që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, por pa sakrifikuar marrëdhëniet me vendet e tjera, përfshirë Turqinë. Kjo nuk është problem përsa kohë ai ta kuptojë, që ka kufij se sa mund ta lejojë Turqinë të hyjë në Shqipëri dhe të ndikojë punët e brendshme në vend. Pra i duhet të zgjedhin. Nëse do të afrohesh me BE-në dhe të bëhesh anëtar i BE-së, duhet të respektosh rregullat e saj, gjë që Erdogani nuk e bën. Turqia sot nuk është një demokraci, shkelja e të drejtave të njeriut është e shfrenuar në gjithë vendin, dhjetra-mijëra vetë janë arrestuar pas përpjekjes për grusht shteti, pra nuk është demokraci dhe unë nuk dua ta shoh atë lloj ndikimi të përhapet në Ballkan, ku (BE-ja) ka shumë interes që rajoni të jetë i qëndrueshëm politikisht, ushtarakisht si edhe të përparojë ekonomikisht. Pra edhe BE-ja ka interes të veçantë që Ballkani të ecë në atë drejtim dhe duhet të investojnë për objektivat e tyre,

Përmes studimeve tuaja, a keni parë shembuj konkretë ku Turqia ose këto lidhje me të të kenë ndikuar në ndonjë politikë në Shqipëri?

Kur ke depërtuar kaq shumë në zhvillimin ekonomik, në sektorin financiar, në arsim, në ndërtim shkollash, do të kesh ndikim direkt dhe indirekt në politikat e brendshme, as nuk diskutohet. Prandaj qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të jenë të shqetësuara për këtë; deri në ç’pikë do ta lejojnë Turqinë që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të këtyre vendeve. Po, mund të mirëpresin investime, por duhet gjithashtu të mendojnë: a duan t’i shesin prona shtetërore madhore Turqisë. Dhe kjo ka ndodhur. Nuk mund t’i japësh aeroportin tënd kombëtar një vendi të huaj. Kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Kosovë, Shqipëri dhe askund tjetër. Duhet pasur kujdes se çfarë lloj investimesh duhet t’i lejohen Turqisë dhe sigurisht të mos lejohet këto investime që të kontrollojnë pronat shtetërore, pronat shtetërore duhet të mbeten 100 për qind në duart e shtetit, në duart e popullit dhe jo t’i jepen me kredi një fuqie të huaj, veçanërisht Turqisë, që ka një program specifik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë