Gazeta Si – Qeveria shqiptare ka njoftuar synimin e saj për ta kthyer Vjosën në një rezervat biosfere të mbrojtur nga UNESCO. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të Audrey Azoulay, Drejtoreshë e Përgjithshme e Organizatës, e cila vizitoi vendin tonë me ftesë të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Azoulay vizitoi qendrën historike të Gjirokastrës, ku pranë ndodhet lumi Vjosa, i quajtur shpesh “lumi i fundit i egër i Europës”, sepse ujërat e tij rrjedhin thuajse të pakufizuara nga burimi i tij në Greqi e deri në detin Adriatik. Vjosa është habitati i rreth 1100 specieve shtazore dhe bimore, duke përfshirë këtu 13 lloje shtazore dhe 2 lloje bimore që janë të kërcënuara globalisht.
Gjatë vizitës së Audrey Azoulay, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, bëri të ditur se dëshiron të paraqesë në muajt në vijim kandidaturën për rezervë biosfere të UNESCO-s për luginën e Vjosës.
“Përshëndes këtë nismë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila hap një faqe të re në historinë e fortë që lidh këtë vend dhe organizatën tonë. UNESCO është në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’i mbështetur në përkufizimin e kësaj zone të mbrojtur dhe përgatitjen e kandidaturës së saj për programin tonë të rezervave të biosferës”, nënvizoi Audrey Azoulay.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.