Ngjarje

Shqipëria strehon emigrantët e paligjshëm që kapen në Angli? Mediat britanike: Po zhvillohen bisedime të fshehta me Tiranën

Qeveria britanike nuk ka hequr dorë nga strehimi i emigrantëve të paligjshëm që kap në territorin e saj në vende të treta dhe në listën e atyre vendeve, sipas mediave britanike në krye ndodhet Shqipëria.

“The Times” shkruan se ministrat e qeverisë së Boris Johnson shpresojnë që të mbyllin një marrëveshje me Shqipërinë brenda pak kohë. Sipas këtij plani, emigrantët që kapen duke hyrë në mënyrë ilegale në Britani përmes varkave të vogla do të transferohen në Shqipëri brenda javës nga momenti i kapjes së tyre.

Kjo do të shmangte mundësinë që këta emigrantë të aplikonin për azil në qendrat azilkërkuese britanike dhe sipas qeverisë së vendit ishullor, njëkohësisht do të garantonte sigurinë e jetës së tyre.

“Bisedime të fshehta me Qeverinë e Tiranës për të hapur qendra strehimi në Shqipëri janë duke u zhvilluar. Pas një serie bisedimesh të dështuara me vende të tjera për strehimin e këtyre emigrantëve, kabineti ka shpresa të mëdha për një marrëveshje pozitive me Shqipërinë”, thotë në artikull “The Times”.

Sipas medias britanike, kostoja që do të paguanin taksapaguesit britanikë për këtë marrëveshje do të ishte rreth 120 mijë euro për azilant, duke përfshirë këtu transportin dhe shpenzimet e tjera për jetesën e përkohshme të tyre në Shqipëri.

Disa javë më parë i njëjti lajm qarkulloi në mediat britanike. Pak më shumë se një muaj më parë,"The Sun" raportoi se të gjithë emigrantët e paligjshëm që kapen duke kaluar kanalet me varka të vogla nga Franca, do të ndalohen dhe do të dërgohen në Shqipëri në kuadër të menaxhimit të krizës së re të azilkërkuesve.

Sipas “The Sun”, zyrtarët në Londër dhe në Shqipëri janë në bisedime për të nënshkruar marrëveshjen që e lejon Britaninë të dërgojë emigrantët e paligjshëm për strehim në Shqipëri.

Duke cituar burime pranë ministrisë së Brendshme britanike, “The Sun” shkruante se “sekretarja e Brendshme Priti Patel e ka bërë të qartë se dëshiron që kjo marrëveshje të arrihet. Negociatat janë në një fazë teknike. Deri tani janë përcaktuar vetëm detaje si vendndodhja dhe numrat e saktë".

Por, nga Qeveria shqiptare këto pretendime janë hedhur poshtë.

“Lajmi se Shqipëria do të ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë, e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne”, shkruan drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.

Vetëm në korrik të këtij vitit, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të re me Britaninë e Madhe për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që kapen ilegalisht, ose atyre që u përfundon dënimi me burg në Angli.

Marrëveshja solli në Tiranë në një vizitë të beftë ministren britanike të Brendshme, Priti Patel për ta nënshkruar atë së bashku me homologun, Bledi Çuçi. Ajo redukton kohën dhe lehtëson procedurat e riatdhesimit për këto dy kategori.

Sipas marrëveshjes, pala shqiptare do të mbulojë një pjesë të kostove të riatdhesimit, ndërsa ajo angleze merr përsipër në raste të veçanta shoqërimin me roje sigurie, apo personel shëndetësor të personit apo personave që do të dëbohen.

Sipas ministrisë së Brendshme britanike, Home Office nga muaj prill deri në korrik janë dëbuar 250 shtetas shqiptarë me precedentë penal. Statistikat britanike thonë se deri në mars të këtij viti, numri i të burgosurve shqiptarë në Britani ishte rreth 1600 vetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë