Shqipëria ka vendosur të shpallë si persona “non grata” dy diplomatë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend.
Në përgjigje të interesit të Top Channel, zëdhënësja e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme e konfirmon këtë informacion.
Sipas zëdhënëses së MEPJ-së, “vendimi për shpalljen e diplomatëve iranianë si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.
Emrat e dy diplomatëve iranianë kanë dal më herët si të dyshimtë nga shërbimet inteligjente izraelite kur u shmang një sulm i mundshëm terrorist gjatë ndeshjes në Shkodër të kombëtares shqiptare me atë izraelite
Në atë kohë kishte informacion se, Lavdrim Muhaxheri dhe disa terroristë të tjerë do të sulmonin me eksploziv kombëtaren izraelite. Për këtë çështje, në Shqipëri dhe Kosovë u arrestuan më shumë se 20 persona.
Pak muaj më parë, Shqipëria shpalli “non grata” atasheun ushtarak të Rusisë në vendin tonë, si dhe sekretarin e parë të Ambasadës ruse.
Por, ky vendim, siç u konfirmua asokohe nga Ministria e Jashtme, erdhi pas konflikteve të Rusisë me Britaninë e Madhe, pas helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.