Ngjarje

COVID 19-Mbi tryezë, skenari për izolimin e Shqipërisë

Shqipëria po shkon drejt mbylljes. Burime të sigurta të Gazetës “Si” thonë se drafti për të kufizuar lëvizjet dhe aktivitetin, si ekonomik ashtu edhe social në vend, është gati, por ai ka ngecur për arsye vendimmarrjeje politike.

Burimet thonë se Ministria e Shëndetësisë ka përkthyer dhe përshtatur me situatën në vend legjislacionin italian për Covid-19 të miratuar një javë më parë nga qeveria dhe parlamenti italian. Kjo do të thotë se vendi mund të shkojë nga dita në ditë në mbyllje totale prej orës 18:00 deri në orën 05:00.

Lajmi për momentin nuk mund të konfirmohet zyrtarisht, por burimet thonë se ka disa skenarë që janë propozuar për mbylljen. Skenari i parë është që mbyllja të zbatohet në të gjithë vendin. Në skenarin e dytë flitet për mbylljen e zonave ku infeksioni konsiderohet si i dalë jashtë kontrollit. Bëhet fjalë për qytete si Tiranë, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora dhe Fieri.

Burimet thonë se akti ka kaluar në Ministrinë e Drejtësisë tek drejtoria e kodifikimit për të verifikuar përshtjatjen e tyre me legjislacionin shqiptar. Të pyetur nga Gazeta “Si” se cila është baza e vendimit për mbyllje të pjesshme, burimet thanë: “Mjafton të shohësh Italinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Greqinë për të kuptuar se edhe këtu situata nuk është më e mirë”.

Por sa reale është mundësia e mbylljes, edhe të pjesshme e të gjithë vendit? Burimet e Gazetës “Si” sqarojnë:

“Asnjëherë nuk bëhet fjalë për një mbyllje si ajo e marsit. Ne sot nisemi nga vendimet e vendeve të tjera, si Italia, që do të thotë mbyllje të lokaleve, sidomos të atyre që aktivitetin kryesor e kanë gjatë mbrëmjes dhe natës. Mund të shkojë më vonë tek mbylljet ”, thonë burimet.

Në lidhje me aktin e kufizimeve, burimet e Gazetës “Si” thonë se ai është gati në disa variante. “Varianti i parë ka të bëjë me mbylljen në të gjithë vendin. I dyti lidhet me mbylljen pjesore, me zonat që janë më të populluarat, si Tirana dhe Durrësi”, thonë burimet.

Burimet thonë se prej 3-4 ditësh Komiteti Teknik i ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka dhënë dritën jeshile për ashpërsimin e masave kufizuese, por mbetet e paqartë se përse këto masa nuk janë aplikuar.

Sipas burime të Gazetës “Si”, bllokimi i vendimmarrjes është tek institucionet politike, që po kërkojnë një “të mesme të artë” mes kufizimeve parandaluese të përhapjes së infeksionit dhe vazhdimit të aktivitetit ekonomik dhe social.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë