Ngjarje

Shqipëria po përpiqet të shpëtojë fokën më të rrallë në botë

Një ekip biologësh detarë shqiptarë po 'skanojnë' ujërat e detit Jon për të gjetur një shenjë të një prej gjitarëve detarë më të rrallë në botë.

Fokat “murg” mesdhetare dikur ishin të shumta në numër por tani kanë mbetur vetëm disa në grupe të vogla të shpërndara jashtë Shqipërisë, Greqisë Turqisë dhe në Mauritania, në brigjet e Atlantikut të Afrikës.

Megjithatë, ka fije shprese për mbijetesën e tyre, pavarësisht nga një rënie dramatike e shkaktuar nga mbipeshkimi dhe zhvillimi i tepërt i habitatit të tyre bregdetar.

Sipas ekspertëve, numrat kanë filluar të rriten ngadalë falë krijimit të zonave të mbrojtura detare në vitet e fundit.

Fokat kanë kaluar nga "të rrezikuara në mënyrë kritike" në 2015 në listën e kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) në tani thjesht “të rrezikuara”.

Megjithatë, ato janë ende jashtëzakonisht të vështira për t'u gjurmuar. Ndërkohë që më parë qëndronin më shumë nëpër plazhe, tani janë tërhequr nëpër shpella të izoluara afër deteve sepse ndjehen më të sigurta.

Biologët detarë shqiptarë shohin vijën bregdetare për foka të rralla

“Në Shqipëri, ekspertët kanë pikasur një pjesë të vogël të specieve falë punës për të identifikuar shpellat dhe limanet ku fshihen këto specie ‘të turpshme’, veçanërisht kur kanë kohën për të lindur”, thotë eksperti i biodiversitetit Nexhip Hysolakoj.

Ekspertët kanë kaluar pesë vitet e fundit duke vendosur kamera në shpella dhe pika të tjera të izoluara përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit për të gjurmuar më mirë fokat.

Hysolakoj, i cili punon në rezervatin detar Karaburun-Sazan, niset çdo ditë nga porti i Vlorës me një anije të quajtur “Foka”, për të kontrolluar kamerat e fshehura përgjatë vijës bregdetare.

“Është një sfidë e vërtetë sepse për të kapur imazhet e duhura, duhet ti pozicionojmë mirë kamerat”, thotë ai.

Fokat e fundit murg të zbuluara nga ekipi u vunë re në janar kur kapën imazhe të asaj që dukej si një femër dhe të voglin e saj. Ata fotografuan dy të tjerë në vitin 2020, dhe ka pasur gjithashtu një mori pamjesh të tjera nga turistët, secila e parë si një fitore e vogël.

Një nga vendet në Karaburun ku ndonjëherë fshihen fokat murg mesdhetare të rrezikuara.

Studiuesit që gjurmojnë gjitarin kryesisht rrinë në parkun kombëtar detar të krijuar në vitin 2010 përgjatë brigjeve të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, një vend ku peshkimi tregtar është i ndaluar dhe ku ndalohen varkat e mëdha.

Vendasit thonë se fokat murg dikur ishin të shumta në plazhet shqiptare edhe pse ato rrallë gjurmoheshin apo monitoroheshin nga ekspertët, veçanërisht gjatë komunizmit.

Por popullatat u shkatërruan nga gjuetia dhe peshkimi i tepërt, ku shpesh herë përdoret dinamit, ndërsa ndotja, turizmi dhe ndryshimet klimatike kanë përkeqësuar më tej shifrat.

“Gjuetia e paligjshme e fokave dhe shkatërrimi i habitateve apo faktorë të tjerë e kanë detyruar fokën të ndryshojë tërësisht sjelljen e saj biologjike”, thotë Aleksander Trajçe, nga organizata e Mbrojtjes dhe Ruajtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Kështu që kamerat dhe udhëtimet e rregullta në terren janë disa nga mënyrat e vetme për të vëzhguar speciet.

“Vetëm monitorimi i rregullt na lejon të identifikojmë praninë e fokës murg dhe të përcaktojmë vendet që duhen mbrojtur”, thonë për AFP studiuesit francezë Jordi Salmona dhe Philippe Gaubert.

Eksperti i biodiversitetit Nexhip Hysolokaj në një nga shpellat detare ku rrinë fokat e rralla.

Ekspertët ngrenë alarmin edhe për rrallimin e florës dhe faunës së ujërave detarë, gjë që i vendos në rrezik të shtuar edhe për shkak të mungesës së peshqve.

“Foka ushqehet kryesisht me peshq, kallamar dhe butak. Më pak peshk do të thotë më pak mundësi për to”, thotë Baci Dyrmishaj, një peshkatar në Vlorë.

Për një vend ku besëtytnitë besohen, peshkatarët kanë shpikur një të re për të mbrojtur fokat murg.

“Fokat sjellin fat për ato që i shohin por nëse i shqetëson apo u gjuan, do të të ndjekë fati i keq”, thotë Dyrmishaj.

Burimi: AFP. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë