Shendet

Shqipëria po diskuton mundësinë e aplikimit të dozës së tretë të vaksinës, por ende s’ka një vendim

Nga Anxhela Celanji -Doza e tretë e vaksinën është një debat i hapur në të gjithë botën sidomos pas kërcënimit të variantit Delta të Covid. Disa vende si Izraeli, Turqia, Zvicra, Britania, Gjermania dhe Finlanda tashmë e kanë bërë zyrtare. Në një intervistë në fundjavë për Gazetasi.al një prej epidemiologëve më të njohur në Shqipëri, Ilir Alimehmeti, sugjeroi se qytetarët që kanë marrë Coronavac kanë nevojë për një dozë të tretë vaksine. Gazetasi.al u interesua pranë autoriteteve shëndetësore nëse po diskutohet mes eskpertëve.
Eugena Tomini, zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha për Gazetasi.al se deri në këto momente nga Komiteti i Imunizimit nuk është rekomanduar dozë e tretë për vaksinimin ndaj Covid-19.

Eugena Tomini, Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ndërsa Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino shpjegoi për Gazetasi.al se duke u bazuar tek rekomandimet e OBSH dhe autoriteteve të tjera shëndetësore në botë (CDC, ECDC, ACIP) dhe duke vlerësuar eksperiencën e disa vendeve që kanë përdorur dozën e tretë, Komiteti Teknik i Ekspertëve po diskuton nëse kjo procedurë do të përdoret edhe në Shqipëri.

“Pasi të kryet vlerësimi nga ekspertët do të merret një vendim,” shpjegoi Bino.

Silva Bino, Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë dhe sëmundjeve Infektive në ISHP

Eksperti Alimehmeti gjatë intervistës për Gazetasi.al tha se një element i rëndësishëm që nxit kërkesën për dozën e tretë është fakti se vaksinat për sëmundjet respiratorë duhen bërë përpara vjeshtës, ndërkohë si rrodhën ngjarjet, vaksinat u bënë diku në fund të dimrit e në fillim të pranverës dhe kështu shihet nevoja për një dozë kujtesë.
Të njëjtin rekomandim me Alimehmetin ka edhe mjeku shqiptar në Londër, Laidon Shapo. Në një intervistë për Gazetasi.al, Shapo ka shpjeguar se është thelbësore që qytetarët të marrin “një dozë booster” (të tretë kujtesë) tek ata që kanë marrë Sinovac në ato fillime të vaksinimit (shkurt/mars) rreth shtatorit pasi efektshmëria e kësaj vaksine ka nevojë për “rifreskim”.

LEXO EDHE:
-Shtetet që po aplikojnë një dozë të tretë kundër Covid-19
-Sa po na kërcënon “Delta”? Si do të vijojë trendi i rritjes së rasteve me Covid -19 në vend?
-Alimehmeti: Të vaksinuarit me dy doza Coronavac duhet të marrin një dozë të tretë Pfizer ose AstraZeneca
-A duhet të bëhet vaksinimi për Covid-19 “i detyrueshëm”? Propozimet e ekspertëve

Disa shtete në botë kanë nisur të aplikojnë dozën e tretë të cilën e kanë përcaktuar tepër të rëndësishme për imunizimin e popullatës për vitin e ardhshëm. Duke u bazuar në të dhënat më të afërta për vendin tonë, raportet tregojnë se Turqia, Tajlanda, Indonezia që kanë bazuar imunizimin e popullatës tek vaksina Coronavac, kanë nisur dozën e tretë për të moshuarit dhe personelin shëndetësor. Gjithashtu edhe Brazili ka njoftuar se në fillim të vjeshtës do të ndjekë të njëjtën strategji.
Aplikimi i dozës së tretë është rekomanduar edhe nga vetë kompanitë prodhuese. Pfizer deklaroi javën e shkuar se doza e tretë ishte tepër e rëndësishme për shmangen e variantin Delta të Covid-19. Duke nisur nga ky rekomandim shtetet kanë vendosur të shikojnë dozën e tretë si mundësi për shmangin e hospitalizimeve dhe vdekjeve gjatë vitit të ardhshëm. Ministria e Shëndetësisë e Izraelit raportoi të premten se kishte nisur vaksinimin me dozë të tretë të personave +60 vjeç dhe do shpërndante dozën e tretë edhe tek njerëzit me gjendje imunosupresive të cilët shfaqën një përgjigje të dobët ndaj të dy dozave të para. Zvicra ka porositur 43 milionë doza vaksinash Pfizer dhe është përgatitur për të nisur vaksinat përforcuese. Të njëjtin vendim ka marrë edhe Gjermania, Franca, Britania dhe Finlanda.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë