Irena Beqiraj

Shqipëria nuk e ka luksin të akomodojë një klasë politike “në vend numëro”  


Ndërsa nga salla e KiE  në një fjalim 54 minuta , në një përsihatje midis të kaluarës edhe të ardhmes, duke servirur një kokteil të paqartë konceptesh , e thëniesh , Kryeministri ynë entuziazmoi trurin emocinal, jo racional, nacionalist  të kombit më të varfër në Europë, po këtë të enjte, Nuriel Rubini, Ray Dalio, Dani Rodrik , etj, shkruanin  për Paqëndrueshmërinë më Madhe Stagflacioniste të përjetuar ndonjëherë, që është tanimë një realitet  në ekonominë globale .

Ekonomia botërore po përjeton një kombinim toksik ekonomik të rritjes ekonomike të ulët dhe inflacionit të lartë e cila jo vetëm nuk do të jetë tranzitore por sipas Nuriel  Rubinit do të çojë në "paaftësi paguese masive dhe krizë financiare kaskadë " në mbarë botën në vitet e ardhshme.

 Hiper-globalizimi, stabiliteti relativ gjeopolitik dhe inovacioni teknologjik që ndihmuan në mbajtjen e inflacionit nën kontroll për një kohë të gjatë, ku rritja e kërkesës  akomodohej nga zgjerimi i ofertës duke mbajtur çmimet e ulta, duket se i përkasin të shkuarës.

Sot kushtet e reja demografike, gjeopolitike, klimaterike, ndërprerjet e  furnizimit, proteksionizmi më i madh ose procesi i zhvendosjes së bizneseve nga jashtë në vendet e origjinës, kufizojnë edhe do të vazhdojnë të kufizojnë në të ardhmen aftësinë e ekonomive  për zgjerimin e ofertës duke rritur kështu presionet e mëtejshme  inflacioniste .

P.sh. vendet që prodhonin 75% të  GDP globale po plaken në mënyrë eksponenciale. Rritja e jetëgjatesisë, mban kërkesën  për mallra edhe shërbime të qëndrueshme, por ul ofertën e krahut të punës duke rritur kostot rrjedhimisht edhe çmimet.

Apo, tranzicioni drejt energjisë së pastër është vlerësuar se kërkon rreth 3 trilion dollarë investime në vit për tre dekadat e ardhshme. Nëse një pjesë e konsiderueshme financohet me borxh, siç duket  më e mundshme, kjo do të  nxisë rritjen e kërkesës agregate globale në një mjedis global tashmë me ofertë të kufizuar duke krijuar presion shtesë inflacioniste.

Paqëndrueshmëria  e Madhe Stagflacioniste globale padyshim do te prekë edhe ekonominë tonë të vogël importuese, e cila vuan edhe nga emigracioni masiv i të rinjve .

Në këtë kontekst më impresionojnë dy gjera : qasja "në vend numero " në politikëbërjen ekonomike shqiptare, edhe presioni i ulët publik për një debat të gjerë ekonomik .

Qeveria thotë që i ka skenarët antikrizë gati. Ndërkohë  kjo nuk është më një  krizë por një cikël i ri ekonomik fatkeqësisht  inflacionist. Për çfarëdo skenari të jetë e përgatitur qeveria, në këtë realitet të ri të vështirë ku oferta agregate ka humbur elasticitetin politikat fiskale (skenarët e qeverisë) apo edhe politikat monetare ( skenarët e Bankës së Shqipërisë janë të pamjaftueshme.

Vetëm politikat që synojnë  rritjen e produktivitetit në bazë të gjerë do të zbehnin efektet e kombinuara të rritjes së cmimeve. 

Së dyti, përtej shikimit rezeshkurtër "deri tek maja e hundës" të qeverisë më impresionon opozita e fokusuar tërësisht tek "grimi demokratik " i primareve , duke lënë tërësisht jashtë fokusit  adresimin "e udhëkryqit ekonomik",  një çështje që për të cilën nëse do të kishte përgjigje të qarta e bindëse do të shëndrohehej në alternativë.

Edhe së fundi, fatkeqësisht duket se opinioni ynë publik posedon vetëm trurin emocional. Kjo duket qartazi në ndjeshmërinë kaq të lartë  kundrejt çështjeve, qëndrimeve, fjalimeve nacionaliste pa asnjë vlerë të shtuar qoftë  në lëmin diplommatik e qoftë në lëmin zhvillimor kombëtar. 

 Mos "ulëritja "  e pyetjes " ku dreqin duhet ta drejtojmë ekonominë tonë edhe si duhet ta bëjmë këtë" ,  është akomodimi më i madh  që jepet klasës politike " në vend numëro " e cila për të mbajtur pushtetin, apo për ta marr atë është kaq bujare në provokime emocionale , duke na atrofizuar kështu tërësisht racionalitetin .

 Shqipëria  e vogël nuk e ka luksin të ketë, e aq më pak të akomodojë një klasë të tillë politike.


Copyright © Gazeta “Si”