Teknologji dhe Inovacion

Shqipëria nënshkruan deklaratën e internetit, por ’ajo mund të godasë lirinë e shprehjes’

Të gjitha vendet e Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë Shqipërinë, kanë nënshkruar “Deklaratën për të Ardhmen e Internetit”. Kjo deklaratë përcakton prioritetet kryesore për një internet “të hapur, të lirë, global, të ndërveprueshëm, të besueshëm dhe të sigurtë”. Deklarata nënvizon objektivat kryesorë, si heqja e përmbajtjes së paligjshme pa kufizuar lirinë e shprehjes, neutralitetin e rrjetit, por edhe përballueshmërinë në aspektin financiar.

Deklarata me tre faqe, e përmbledhur nga Komisioni Europian dhe nga Shtëpia e Bardhë, ofron një vizion të gjerë të rrjetit dhe njëkohësisht një miksim të çështjeve specifike të 61 vendeve firmëtare. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit.

“Ne jemi të bashkuar nga besimi në potencialin e teknologjive digjitale për të promovuar ndërlidhjen, demokracinë, paqen, sundimin e ligjit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut dhe lirive themelore,” thuhet në fillim të dokumentit.

Por “qasja në internetin e hapur është e kufizuar nga disa qeveri autoritare dhe platformat online apo mjetet digjitale përdoren gjithnjë e më shumë për të shtypur lirinë e shprehjes dhe për të mohuar të drejtat e tjera të njeriut dhe liritë themelore”, vijon deklarata.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se “Interneti e ka bashkuar njerëzimin, si kurrë më parë në histori”. “Sot, për herë të parë, vendet me të njëjtin mendim nga e gjithë bota po vendosin një vizion të përbashkët për të ardhmen e internetit, për t'u siguruar që vlerat që ne mbajmë të vërteta offline mbrohen gjithashtu në internet, për ta bërë internetin të sigurtë, vend dhe hapësirë të besueshme për të gjithë, dhe për të siguruar që interneti t'i shërbejë lirisë sonë individuale. Sepse e ardhmja e internetit është gjithashtu e ardhmja e demokracisë, e njerëzimit”, u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë