Ngjarje

Shqipëria në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, Rama: Një hap më pranë BE

Gazeta Si - Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Komisioneri europian për Mbrojtjen Civile, Janez Leanerçiç, nënshkruan këtë të premte marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Mekanizimin Europian të Mbrojtjes Civile.

Në fjalën e tij, komisioneri përmendi tërmetin dhe zjarret, me të cilat është përballur Shqipëria vitet e fundit, duke thënë se njësitë europiane iu gjendën menjëherë pranë për t'i ndihmuar.

Po ashtu theksoi rëndësinë e ndërtimit të mbrojtjes civile në vendin tonë në mënyrë që të shpëtohen më shumë jetë dhe të kursehen para.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale tha se sot Shqipëria është një hap më pranë Bashkimit Europian.

“Shqipëria plotëson të gjitha kushtet dhe bëhet anëtarë me të drejta të plota e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, çka do të thotë që çdo fatkeqësi natyrore e jona është njëkohësisht fatkeqësi natyrore e Bashkimit Europian, e cila ve menjëherë në lëvizje mekanizmin e mbrojtjes europiane, duke angazhuar për Shqipërinë mjete, njerëz e fonde për përballimin e emergjencës. Sot jemi një hap më pranë BE-së dhe BE-ja është një hap më afër nesh, në një rrugë që tanimë bëhet çdo ditë e më e përbashkët”, shkruan Rama.

Kjo marrëveshje i jep mundësinë Shqipërisë që të jetë pjesë e këtij mekanizmi, duke përfituar ndihma sa i përket fatkeqësive natyrore me të cilat mund të përballet vendi.

Këto ndihma përfshijnë që nga trajnimi i grupeve të Emergjencave Civile në Shqipëri duke marrë eksperiencë ndërkombëtare, por gjithashtu edhe ndihma të tjera fizike apo për përmirësimin e teknologjisë.

Mekanizimi Europian i Mbrojtjes Civile jo pak herë i ka ardhur në ndihmë Shqipërisë. Kujtojmë këtu ndihmat që kanë ardhur gjatë tërmetit të vitit 2019. Po ashtu, edhe për shuarjen e zjarreve gjatë verës.

Kjo ndihmë do të jetë më e madhe dhe më konkrete pas nënshkrimit të marrëveshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë