Politike

Shqipëria me numrin më të madh të presidentëve dhe kryeministrave të arrestuar, por korrupsioni mbetet ende i lartë

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria shënjon vendin me numrin më të madh të ish-drejtuesve politikë të nivelit të lartë që janë arrestuar nën akuzën e korrupsionit.

Ndonëse në 31 vite historiku politik numëron me tërësej një ish-president dhe 4 ish-kryeministra që janë përballur me drejtësinë për këtë akuzë, korrupsioni mbetet ende ‘thembra e Akilit’ e sistemit të drejtësisë në vend.

Edhe në botë lista e drejtuesve politikë të arrestuar për korrupsion nuk është e thukët, megjithatë, në asnjë prej këtyre shteteve, numri i tyre nuk kalon më shumë se dy.

Në Shqipëri, i pari që ‘hapi siparin’ është ish-presidenti Ramiz Alia që u arrestua në shtator 1993 për ‘shpërdorim të fondeve shtetërore’.

I dyti ishte ish-kryeministri socialist Vilson Ahmeti në vitin 1993  i cili drejtoi një nga qeveritë teknike pas rënies së diktaturës. I akuzuar për përgjegjësinë mbi kambialin prej 1.6 milionë dollarësh për shlyerjen e borxhit të jashtëm, ai vuajti dy vite burg.

I treti, është ish-kryeministri Fatos Nano, i cili u arrestua më 31 korrik 1993 dhe u dënua me 12 vjet burg për korrupsion. Nano kaloi rreth katër vite në burg dhe u lirua më 1 mars 1997, mes trazirave që përfshinë vendin.

Mandej, në fund të dhjetorit 2023, i katërti në radhë që nuk u arrestua por u la në arrest shtëpiak nga SPAK është ish-kryeministri Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion lidhur me privatizimin e ish-klubit Partizani.

I pesti që shtoi emrin në listën e gjatë të figurave politike që janë përballur me drejtësinë në Shqipëri është ish-kryeministri Ilir Meta i cili u arrestua sëfundmi (21 tetor), i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Porse ata janë akuzuar për korrupsion dhe drejtësia shqiptare trumbeton se luftimi i tij është në nivele krejt të kënaqshme, raportet për këtë tregues në fakt nuk e sugjerojnë këtë.

Hapja e bisedimeve për grup-kapitujt e parë të njohur si “Themelorët” (që mbulojnë çështjet e shtetit të së drejtës) është një shpresë më shumë drejt rrugës së integrimit, duke iu referuar edhe rastit të Kroacisë (e cila u bë pjesë e BE-së në 2013-n, pas arrestimit të Ivo Sanaderit). Por korrupsioni mbetet ende sfidë.

Raporti i fundit Organizatës për Zhvillim dhe Integritet në Europën Juglindore, SELDI, tregoi se Shqipëria është vendi më vulnerabël ndaj korrupsionit në Ballkan.

Referuar raportit, 80% e popullsisë së Shqipërisë është e prirur të japë apo të marrë rryshfet.

Në të gjithashtu theksohet se 52% e shqiptarëve të anketuar deklaruan se kanë ndjerë presion nga një zyrtar për të dhënë rryshfet dhe 40% janë ata që pranuan se kanë korruptuar një zyrtar. 

Të dhënat nuk vijnë nga vetëm një burim.

Sipas indeksit të matur nga Transparency.org, Shqipëria ka një pikëzim prej 37 pikësh nga 100, ku pikët më të ulëta tregojnë një perceptim më të lartë të korrupsionit. Për vitin 2023, Shqipëria mban vendin e 98 nga 180 vende në analizë.

Edhe Matjet e Barometrit të Sigurisë 2024, treguan një rritje të perceptimit publik se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë.

Pranverën e këtij viti, pas 29 vitesh Shqipëria doli nga lista e vendeve në monitorim nga Këshilli i Europës, por KE i bëri thirrje autoriteteve të vendit që të bëjnë më shumë në luftën kundër korrupsionit.

Jo më vonë se e njëjta periudhë, Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor, theksoi se Shqipëria është e ‘mbytur’ në korrupsion në çdo nivel të qeverisjes dhe gjyqësorit...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë