Ekonomi

Shqipëria, më e varfëra e Europës. Ka lënë 14% të tokës bujqësore djerrë

Ligji që nxit përdorimin e tokës nuk po funksionon plotësisht. Çfarë duhet bërë që 100 mijë hektarë të mbetura të kthehen në kontribut për ekonominë e përbashkët.

Nga Gisela Troplini- Edhe pse statistikisht Shqipëria është vendi me më pak tokë bujqësore për frymë ka luksin të lerë pa punuar rreth 14 përqind të saj. Sipas të dhënave zyrtare të mbledhuara nga gazeta “Si” fondi i tokës bujqësorë është 699 mijë ha, ose 24% e të gjithë sipërfaqes tokësore të vendit, por rreth  100 mijë ha ose rreth 14%  e saj është e pakultivuar.

Në raste të tilla, kur poseduesi i i tokës për arsye të ndryshme nuk ka mundur të mbjellë në atë sipërfaqe kulturën që kërkohet nga përbërja e tokës, qeveria merr në zotim dhënien me qira të këtyre tokave nëpërmjet një ankandi.

Këshilli komunal apo bashkiak bën evidentimin e tokave dhe ia paraqet ato kërkuesëve të interesuar. Toka i jepet me qira palës së tretë për kultivim bimësh më afat 1-vjeçar qiraje dhe marrëdhënie deri në 5 vite.

Çmimi minimal për dhënien me qira të një sipërfaqje të pakultivuar është 30% më i ulët se sa vlera e qirasë vjetore e përcaktuar.

Të ardhurat që krijohen nga qiradhënia e këtyre tokave ndahet midis pronarit të ligjshëm dhe Bashkisë. 80% e të ardhurave shkojnë për poseduesin, ku mbahet edhe taksa vjetore e tokës dhe 20% shkon për shpenzimet administrative.

E megjithëse ka një  ligj që tenton të nxisë përdorimin e tokës bujqësore për të krijuar të mira, sërish shifra mbetet e lartë.

Sipërfaqja e tokës së ngelur e pakultivuar mund të jetë e tillë për arsye të ndryshme, por Kreu i Sindikatës së Fermerëve Shqiptarë, Eduart Sharka, i tha gazetës “SI” se janë një sërë problemesh që në fakt i kanë hequr interesin fermerëve shqiptarë për të punuar tokën e tyre.

Eduart Sharka, Kreu i Sindikatës së Fermerëve Shqiptarë

“Mund të rëndis 4 probleme kryesore që  kanë penguar përdorimin e tokave dhe janë lënë mënjanë. E para është mungesa e subvencioneve. Nga subvencionet e qeverisë vetëm deri në 3% të fermerëve mund të përfitojnë, kur duhet të paktën të përfitojnë 50% e tyre. Për fermerët subvencion është edhe dhënia e inputeve, madje ky lloj është më i domosdoshmi. Ata nuk do të shpenzojnë para për produktet e para dhe do të fitojnë nga produkti final”,- tha Sharka.

“Problemi i dytë është mungesa e analizave të tokës. Marrim rastin e Ministrisë së Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, në faqen e saj për çdo njësi toke ka dokumentin shoqërues të analizave të asaj përbërje dhe kulturës që duhet mbjellë aty. Fermerët shqiptarë nuk e kanë një gjë të tillë, ata vazhdojnë të mbjellin ndoshta një kulturë të gabuar ose një kulturë që nuk mund të bëhet më në atë tokë duke rritur shpenzimet dhe dëmet për ta.”

“Mangësia e tretë është mungesa e kontrollit nga shteti apo një rregullatorje për inputet bujqësore që marrin fermerët. Në rastin më të mirë, inputet blihen në një dyqan ku shitësi qëllon të jetë agronom.”

“Problemi tjetër janë vetë politikat fiskale, që ndonëse synonin formalizim të bujqësisë, rezultuan dështim dhe 90% e bujqësisë vazhdon ende të mbetet informale. Gjithashtu, fermerët nuk mund të sigurohen gjëkundi. Asnjë kompani sigurime nuk ofron sigurime për fermerët. ”

Z.Sharka përmend për gazetën “Si” se vetëm në Shqipëri bujqësia nuk mori asnjë fond ndihmë për pandeminë. “Bujqësia vazhdoi gjatë pandemisë, por u dëmtua. U mbyll çdo  biznes e çdo lokal që do të merrte sasi produktesh. Prap, sektori që krijon produktet bazë për shoqërinë nuk u ndihmua fare. Kosova dha 50 milionë euro për fermerët për të kaluar vështirësitë e pandemisë”-u shpreh Kreu i Sindikatës së Fermerëve.

Ai shtoi se të gjithë këto probleme kanë larguar interesin e fermerëve të merren me bujqësinë dhe 10% e tyre, e kanë lënë tokën djerrë dhe janë rikthyer në emigrim. Sipas tij, fermerët nuk shohin asnjë të ardhme në bujqësi kur pas gjithë punës së bërë, në fund të muajit nuk shohin asnjë fitim të saj. Ndonëse eksportet po rriten, bujqësia jo.

“Zgjidhja e këtyre problemeve do të rriste interesin e  fermerëve. Gjithashtu duhet të ndryshojë dhe politika që ndiqet. Marrja nga shteti dhe dhënia me qira nuk është e dobishme në stimulin e punimit të tokës. Ai që mund ta marrë nuk mund të punojë njësoj si ai që e ka dhe që i jepet mundësia për ta shfrytëzuar”, -u shpreh z.Sharka.  

“Duhet subvencionimi i fermerëve dhe jo kooperimi. Kështu, stimulohet shfrtyëzimi i tokës së lënë pa punuar.”

Mbështetur në të dhënat nga Instituti i Statistikave, bujqësia zë rreth 20% të PBB-së së përgjithshme vjetore të vendit.

Fieri mbetet qyteti me produktivitetin më të madh të perimeve me 484.366 tonë në vit, ndjekur nga Tirana me 128.666 tonë dhe Berati  me 126.555 tonë.

Të regjistruar me NIPT, deri në muajin maj të vitit 2021, raportohen 61.634 fermerë aktivë. Në Shqipëri sipas FAO-s numërohen 350 mijë ferma.

Eksportet e produkteve bujqësore në vitin 2019 llogariten mbi 300 mijë tonë, të përkthyera në 10.4 miliardë lekë të ardhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë