Nga Gazeta ‘SI’- Pasditen e sotme u zhvillua në Bruksel, Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e vendit tonë për anëtarësim në BE.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili kryesoi delegacionin shqiptar në Bruksel thotë se ky hap është reflektim i progresit të Shqipërisë në rrugën drejt BE.
“Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër.”, shprehet Hasani.
Ai nënvizon gjithashtu se rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur.
Në këtë kuadër integrimi, edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, uroi Shqipërinë për hapjen e grupit-kapitullit të tretë, duke e cilësuar “një hap tjetër më afër bashkimit Evropian”.
“Urime Shqipërisë për hapjen e Grupit 3 mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse sot! Kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së. Zgjerimi i BE ka të bëjë me përparimin ditë pas dite”, shkruan Marta Kos në rrjetin social X.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.