Menaxhim

Shqipëria financuese e startup-it të Mira Muratit, Rama: Ka ardhur koha që shteti të financojë kompani!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama tregoi se i ka bërë një ofertë sipërmarrëses Mira Murati, për të financuar startup-in e saj të ri të Inteligjencës Artificiale, Thinking Machines Lab.

Rama ritheksoi se Shqipëria do të përkthejë të gjithë legjislacionin europian me anë të AI, në kuadër të integrimit në BE.

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër. Më tha se janë tre shtete që më kanë bërë ofertën. Ka ardhur koha që të hyjmë në këtë lojë, se edhe në rastin tonë me kompanitë tona, edhe start up-i është i mirë për të ndihmuar në fazën A kur tjetri s’ka asnjë gjë dhe vetëm një ide. Ne të bashkëpunojmë, që të keni një produkt që mund ta përdorni ku të doni. Dhe në fund fare shteti kushton më pak”, tha kryeministri.

Ai zbuloi bisedën me Muratin, së cilës i kërkoi ndihmë për ta futur më shpejt Shqipërinë në BE dhe të luftojë korrupsionin.

“ I thashë që do ta ndihmosh Shqipërinë të futet në BE? Kujtoi se po bëj humor. I thashë e kam seriozisht. I thashë mesa kuptoj unë se ti mund të na ndihmosh të futemi në BE më shpejt. Pjesa që ti s’ke nga ikën fare me BE është merr 250 mijë faqe, ktheji dhe silli këtej. Edhe ne kështu ishim përgatitur, të gjithë vendet kur fillojnë negociatat bëjnë një ushtri me përkthyes. E dyta i thashë do ta ndihmosh Shqipërinë të luftojë korrupsionin? I thashë prokurimet.  Ne kemi krijuar një sistem që termat e referencës nuk mund t’i hedhësh më në publik pa kaluar te agjencia e Prokurimit Publik, por prapë është manuale. Kemi filluar ne me këtë”, tha Rama.

Ka rreth një vit që kreu i qeverisë paraqiti këtë ide, po në bashkëpunim me Mira Muratin, e cila atëherë ishte në pozicionin e bashkëdrejtueses në platformën më të madhe të AI-së në botë, OpenAI.

Momentalisht, e-Albania dhe kadastra janë dy nga shërbimet publike që operojnë me ndihmë të AI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë