Ngjarje

Shqipëria feston 110-vjetorin e Pavarësisë

Gazeta Si - Shqipëria feston këtë të hënë 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

110 vjet më parë, në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 Nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.

Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurtër, pasi pak më shumë se një vit u detyrua të tërhiqet dhe t’i lërë vend një qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.

Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët.

Ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur në vitin 1913 pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës.

U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane.

Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë