Lajme

Shqipëria pa koronavirus. Tre rastet e fundit rezultuan negative

Ministria e Shëndetësisë, në një deklaratë publike, njoftoi se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.
Drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, Eugena Tomini, tha se dje janë testuar tre raste të dyshuara për koronavirusin e ri, por kanë rezultuar negativë.
“Gjatë ditës së djeshme janë testuar tre raste, të cilët kanë rezultuar negativë. Nga survejanca e shtuar në pikat kufitare, po monitorohen të gjithë udhëtarët. Ministria rekomandon për udhëtarët, që vijnë nga rajonet e prekura, të vetë-karantinohen për 14 ditë dhe nëse kanë simptoma të koronavirusit të kontaktojnë urgjencën kombëtare”, u shpreh ekspertja.

“Nga periudha e shfaqjes së epidemisë në Kine e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 29 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthime komunitare”, tha Tomini.

Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore detare dhe tokësore, po kryhet monitorimi i temperaturës në vijimësi për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.

Në 24 orët e fundit janë monitoruar për temperaturë 13,672 persona në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe detare.
Në 24 orët e fundit thirrjet në nr e Urgjencës Kombëtare 127 kanë arritur nivelin e 1485 telefonatave, nga të cilat 57 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon udhëtarët që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.

MSHMS rekomandon qytetarët që kane udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë