Ngjarje

Shqipëria e kontradiktave: Protestë për çmimet e larta dhe koncerti “i kripur” i Malumës

Ndërsa në orën 17:00, qytetarët kanë paralajmëruar protestën e radhës para Kryeministrisë, protestë e nisur prej ditësh kundër rritjes së çmimeve, në orën 21:00, atëherë kur protesta mund të mbyllet, pak metra më tej në Sheshin "Nënë Tereza", do të nisë koncerti i këngëtarit latin, Maluma. Shuma që ai do të marrë nga koncerti në Shqipëri pritet të mos jetë e vogël, megjithëse nuk është delaruar ende zyrtarisht. Në informacionin që jepet për artistin, thuhet se pagesat për të nisin nga 600 mijë dollarë deri në 1.5 milionë dollarë. Ndërsa bileta për ta ndjekur Malumën Live mbrëmjen e sotme kushton nga 6 mijë lekë në rreshtat e parë dhe 4.500 lekë në rreshtat pas.

Një ditë më parë, mesditën e 13 marsit, qytetarët protestues nëpërmjet pankartave të tyre e kanë ironizuar mbajtjen e këtij koncerti. “Sa do paguhet Maluma në këto kohë krize?”, shkruhej në një nga pankartat e protestuesve.

Organizimi i këtij koncerti duket se nuk është pritur mirë edhe nga disa artistë shqiptarë. Reperi Stresi ka kërkuar nga shqiptarët që ta bojkotojnë këtë koncert. Në një postim të bërë në rrjete sociale, Arkimed Lushaj thotë se "njerëzit nuk kanë bukë për të ngrënë, ndërkohë që kostoja e këtij eventi ka kaluar 700 mijë euro". “Populli nuk ka bukë për të ngrënë. Dhe e dini sa ka shkuar kostoja e këtij koncerti? Mbi 700 mijë euro organizim. Bojkotojeni këtë koncert”, është shprehur ai.

Sot në mbrëmje këngëtari Maluma do të mbajë koncertin e tij në Tiranë në kuadër të turit që po zhvillon në Europë “Papi Juancho Tour”, koncert i parashikuar që në vitin 2020 në vendin tonë, por që do të shtyhej për shkak të COVID-19.  

Këngëtari latin do të performojë në skenën që është ngritur në sheshin “Nënë Tereza”.

Organizatorët e këtij koncerti kanë treguar se performanca në skenë e Malumas do të zgjasë plot 1 orë e 30 minuta.

Por përpos tij, në mbrëmjen e 14 marsit do të këndojnë edhe disa artistë shqiptarë. Bëhet fjalë për Ronela Hajatin, e cila këtë vit do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, që do të mbahet në Torino të Italisë. Pjesë e këtij eventi do të jetë edhe këngëtari Elgit Doda.

Mësohet se dyshja do të këndojnë mbrëmjen e së hënës në të njëjtën skenë me Malumën.

Një tjetër detaj i koncertit të Malumës është vizita e shpejtë që këngëtari Maluma do të bëjë në vendin tonë. Ai do të qëndrojë në Tiranë vetëm pak orë. Në mbarim të performancës së tij, Maluma do të largohet, duke mos kaluar asnjë natë në Tiranë.

Ndërkohë që në vendet e tjera të Europës, ai ka zgjedhur të kalojë të paktën 1 natë.

Biletat “Meet&Greet” janë shitur në website-n zyrtar të këngëtarit dhe kushtojnë 370 dollarë, ndërkohë që këta persona duhet të kenë edhe biletë hyrëse për në koncert, çmimi i të cilës fillon nga 3000 lekë.

Mësohet se biletat janë shitur të gjitha. Një pjesë e tyre janë shitur që para 2 vitesh, kur koncerti u anulua për shkak të pandemisë.

“Meet & Greet” është bileta VIP që iu jep mundësinë të njihni nga afër Malumën dhe të shkrepni edhe një foto me të. Ata më të apasionuarit pas tij, do të kenë edhe mundësinë ta takojnë nga afër.

Thuajse të gjitha biletat VIP janë shitur tashmë dhe mes blerësve ka edhe personazhe të njohur të showbizzit që do të takojnë nga afër këngëtarin.

Ndërkohë, vetë Maluma është shprehur entuziast për ardhjen në vendin tonë.

Nëpërmjet një videoje, Maluma ka përshëndetur Tiranën dhe të gjithë fansat ku u rikujton të mos mungojnë në koncertin e tij.

“Si jeni njerëz, Tirana, unë jam Maluma baby, mos mungoni më 14 mars në “Papi Juancho Tour”, shihemi atje”, ka thënë ai në videon e publikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë