Treg

Shqipëria e aventurës po merr më shumë vëmendje

Gazeta Si-Rritja e çmimeve dhe shtrenjtimi i paketave turistike e ka zhvendosur vëmendjen tek turizmi shqiptar i aventurës.

Të huajt dhe shqiptarët po u kushtojnë më shumë vëmendje bjeshkëve, kanioneve dhe shpellave të Shqipërisë.

Guidat profesionale thonë për Gazetasi.al se pavarësisht që rritja e kostove ka qenë e paevitueshme edhe për këtë lloj turizmi, sërish çmimet janë më të lira se turizmi sedentar i qëndrimit në shezlong.

LEXO EDHE:
– Aventurierë dhe të pabindur. Cilët janë turistët më problematikë në Shqipëri?
– Turizmi shqiptar i aventurës është “In” jo vetëm për Instagram
– Video/ Turizmi i aventurave pa guida që po i rrezikon jetën policisë dhe mjekëve në Shqipëri

“Post-pandemia bëri efektin e saj dhe udhëtarët po kërkojnë grupe më të vogla dhe pushime më aktive. Të pakën në jugun e Shqipërisë çmimet janë shtrenjtuar ndjeshëm dhe qytetarët e kanë drejtuar vëmendjen tek ne”, thotë Neritan Ibi, guidë profesionale dhe drejtues i “My Albania Nature Explorers” për Gazetasi.al.

Ibi thotë se turistët veç njohjes së kulturave në zona të ndryshme rurale,po e pelqejnë atë sepse i ndihmon të kapërcejnë kufijtë vetjakë dhe të përballen me frikën.

“Turizmi i aventurës në Shqipëri është përgjithësisht sezonal ndonëse Shqipëria me bukuritë që ka, ofron shumë potencial për të patur një turizëm gjithëvjetor aventure.

Vëmendja e njerëzve sëfundmi është fokusuar shumë tek hiking por edhe rafting. Turistët janë të interesuar për pjesën e Alpeve dhe koha është shumë e favorshme për të vizituar ata destinancione tani. Por sigurisht edhe Shala, Valbona e Dibra”, shton ai ndërsa thekson se ky lloj turizmi po angazhon komunitetet rurale duke nxitur punësimin e të rinjve dhe luftuar njëkohësisht emigracionin.

Turizmi malor po rrit investimet në strukturat akomoduese

Gëzim Olaj që prej 25 vitesh ndan jetën mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, tashmë ka krijuar një strukturë shtëpizash në “Qafë Thorë”, pagëzuar me emrin “Buni i Bajraktarit”.

Buni i Bajraktarit

Ai thotë për Gazetasi.al se investimet në këtë zonë i ka nisur prej nëntë vitesh duke kombinuar turizmin malor me agroturizmin, me synim nxitjen e të rinjve që të mos largohen nga Shqipëria.

“Zakonisht vijnë turistë polakë, çekë, gjermanë, izraelitë dhe së fundmi, edhe anglezë dhe amerikanë”, thotë Olaj teksa thekson se është mjaft i kënaqur që ka gjithmonë e më shumë vëmendje për këto zona dhe të gjithë ata që i vizitojnë, kthehen sërish.

Gëzim Olaj

“Kthimi i tyre i bën më të përgjegjshëm për rritjen e cilësisë dhe shërbimit të gjitha strukturat që merren me turizëm në këtë zonë. Investime në zona rurale po nxiten gjithnjë e më shumë edhe nga të tjerët”, thotë ai teksa shton se në planet e tij për të ardhmen po synon që të ngrejë edhe një resort malor me një pistë skish në të.

Europianët, interes më të lartë

Ibi thotë për Gazetasi.al se turistët që po shprehin interesin më të lartë janë europianët ndërsa shton se ka mungesë të turistëve nga Egjipti dhe Lindja e Mesme që vitin e shkuar u konsideruan si treg potencial në rritje.

“Tendenca e turistëve në këtë periudhë është më shumë drejt turizmit të gjelbërt për të vijuar mandej me turizmin bregdetar duke qenë se është edhe sezoni turistik.

Ne jemi përpjekur të bëjmë një alternim të paketave, si me shtigjet malore ashtu edhe me organizimin e campingjeve në Gjipe, Karaburun dhe destinacione të tjera bregdetare.

Interesi është i lartë për të dyja pavarësisht se sigurisht edhe në këtë lloj turizmi ka ndikuar rritja e inflacionit, për të dyja palët.

Është rritur çmimi i naftës, rrjedhimisht dhe shërbimi i transportit. Kjo është një situatë që ka ndodhur kudo në botë dhe natyrësht është reflektuar edhe në Shqipëri”, vijon Ibi ndërsa shton se edhe konkurrenca e pandershme është problem më vete.

Ka agjenci të cilat punojnë në informalitet, pa NIPT dhe vetëm me një faqe Instagram-i, të cilat duke mos pasur kostot tona, dalin me një çmim më të ulët në ofertat e tyre. Mendoj se ky segment tregu duhet monitoruar më shumë”, shton ai mandej për Gazetasi.al.

Kostoja mesatare e aktiviteteve, dyfish më lirë se në rajon

Ibi thotë që është e vështirë të flasësh për kosto duke marrë parasysh larmishmërinë e aktiviteteve që janë në nivele të ndryshme.

“Sportet kanë nevojë për një bazë minimale sigurie dhe shoqërim nga instruktorë profesionistë që ka një kosto shtesë. Në vendet fqinje, këto aktivitete ofrohen të paktën dy herë më shtrenjtë.

Megjithatë, ne përpiqemi që ofertat tona të jenë sa më ekonomike dhe të përballueshme”, shton ai.

A mund ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion botëror të turizmit të aventurës?

Sipas Ibit janë tre faktorë të cilët ndihmojnë për ta dërguar më tej turizmin shqiptar të aventurës.

Ai përmend së pari mundësitë e bollshme të rekreacionit/aktiviteteve argëtuese duke ofruar paketa të larmishme turistik.

Më tej shton se duhet të edukojmë komunitetet dhe të rinjtë në turizëm në mënyrë që të kemi një fuqi punëtore të shëndetshme.

“Së treti, një mjedis pro-biznesi dhe paketë konkurruese e taksave. Kostoja e të ofruarit turizëm në Shqipëri duhet të jetë sa më e ulët, në mënyrë që tërhiqen investitorë dhe qeveria duhet të ofrojë lehtësi dhe subvencione për startup-et”, mbyll ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë