Rend dhe Ligj

Shqipëria, destinacioni kryesor i kokainës që kalon nga Malta

Aksionet e ndërmarra nga autoritetet e Maltës në gjashtë muajt e fundit kundër trafikut të kokainës amerikano-latine me destinacion vendet e Bashkimit Europian, provojnë raportet e agjencive ligjzbatuese europiane se rrugës së Mesdheut po i jepet gjithnjë e më shumë rëndësi nga grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar.

Që prej muajit nëntor të vitit të kaluar e deri më tani, policia e Maltës ka sekuestruar në portet e saj rreth 1 ton kokainë me origjinë nga vendet e Amerikës së Jugut. Vetëm në dy javët e fundit, droga e sekuestruar shkon në 244 kilogramë, gjysma e së cilës, sipas njoftimeve të autoriteteve dhe medias malteze kishte si destinacion portet shqiptare.

Aksionet kanë nxjerrë në pah larmishmërinë e skemave që po zgjedhin trafikantët për të kaluar drogën. Në pjesën më të madhe të rasteve, droga është kapur në pjesë të modifikuara kontenieresh, por nuk kanë qenë të rralla rastet kur ajo është maskuar brenda lëndëve të tjera, që nga vaji i palmës e deri tek cimentoja.

Për agjencinë “InsightCrimes”, droga e kapur në sasi të vogla ka dy shpjegime; ose grupet e trafikut nuk duan të rrezikojnë duke u përpjekur që të kalojnë sasi të mëdha, ose janë devijim i autoriteteve kontrollore nëpër portet e Mesdheut, duke përdorur si karrem pakot e vogla, ndërkohë që në amullinë e krijuar kalojnë dërgesa më të mëdha.

A është e para apo e dyta, vështirë se mund të thuhet me bindje të plotë. Por, me bindje të plotë mund të themi se sipas shifrave të publikuara, Shqipëria ka qenë destinacioni kryesor i drogës së kapur në Maltë në muajt e fundit, ndjekur më pas nga Mali i Zi dhe Greqia. Në njër rast të vetëm droga e sekuestruar nga autoritetet malteze të Freeport destinaconi ka qenë Lindja e Mesme.

Kokain e fshehur tek motoret ftohes te nje kotenieri te kapur ne Malte

Këto të dhëna konfirmojnë raportin e Qendrës Europiane të Studimeve Kundër Drogës, që disa muaj më parë fliste me bindje për vendosjen e një linje direkte të transportit të kokainës kolumbiane nga grupet shqiptare të trafikut.

Në fakt, Shqipëria nuk bën pjesë tek rrugët kryesore të transportit të kokainës amerikano-latine për në Europë, por konsiderohet si një nyje strategjike dhe territor tranzit “i rehatshëm” nga grupet mafioze. Qendra Europiane e Studimeve Kundër Drogës që prej vitit 2012 ka patur një rritje të përshkallëzuar të kokainës të sekuestruar në Shqipëri, por edhe të asaj të kapur në vendet fqinje dhe ato të BE-së që ka kaluar përmes territorit shqiptar në rrugë ajrore, ujore dhe tokësore.

Aktiviteti kryesor i grupeve shqiptare të trafikut të drogërave në Bashkimin Europian ishte shpërndarja e hashashit. Por, me infrastrukturën dhe burimet njerëzore të ngritura, siç edhe thekson një raport i vitit 2017 i Agjencisë Kombëtare Britanike Kundër Krimit, grupet kriminale shqiptare nisën të shohin më shumë nga një biznes tjetër, akoma më fitimprurës.

Bëhej fjalë për kokainën dhe në raportin e vet, agjencia britanike thotë se grupet shqiptare kanë vënë kontakte të drejtpërdrejta me ato amerikano-latine, duke e blerë mallin që në “burim”, për ta shpërndarë më pas në BE. Për të përforcuar këtë ide, raporti përmend laboratorin e Xibrrakës, i sekuestruar në vitin 2015 pas një sinjalizimi të autoriteteve gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë