Ngjarje

Shpëtojnë vetëm 2 kullat e Notre Dame de Paris. Macron: Do e rindërtojmë

I gjithë Parisi duket se ka mbetur pa frymë pas shkrumbimit të një prej simboleve më të vyera të kontinentit të vjetër, katedrales Notre Dame de Paris.

Zjarri u vu nën kontroll gati nëntë orë pasi nisi, të hënën pasdite, ndërkohë që shkaku i tij mbetet ende i paqartë.

Pasi zjarri i madh shkrumboi pjesën më të madhe të Katedrales, presidenti francez Emmanuel Macron u zotua ta rindërtojë.

Zjarrfikësit arritën të shpëtonin dy kullat dhe strukturën shkëmbore të godinës 850-vjeçare.
Duke folur nga katedralja nën flakë, në orët e para të së martës, Macron e cilësoi ngjarjen tragjike, por evidentoi si shumë të rëndësishëm faktin që u shpëtua struktura e saj.

“Ne do ta rindërtojmë katedralen të gjithë së bashku dhe ajo padyshim do të mbetet një nga destinacionet kryesore të Parisit”, tha Macron duke njoftuar se shumë shpejt do të hapë një skemë ndërkombëtare të mbledhjes së fondeve, për t’i rikthyer kryeqytetit Notre Dame-n e famshme. Dhe donacionet e para kanë nisur pa kaluar 24 orë nga zjarri që gjunjëzoi Parisin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë