Ka ndodhur

Shpërthimi me tritol tek ‘Rana e Hedhun’, rikthehet në qeli një nga autorët e dyshuar

Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka vendosur rikthimin në burg të shtetasit Angli Stafuka, të cilin Apeli i Shkodrës e kishte lënë të lirë, pasi u arrestua si i dyshuar për vendosjen e një sasie tritol, pranë një pallati në ndërtim në zonën e 'Ranës së Hedhun' në Shëngjin, Lezhë para thuajse dy vjetësh.

Gjykata e Lartë e ka cilësuar në shkelje proceduriale të ligjit lirimin e tij nga Gjykata e Apelit në Shkodër.

Angli Stafuka nga Fushë Kruja u arrestua pasi në bashkëpunim me Erald Pajtanin, dyshohet se kanë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të biznesmenit L.Gj., një sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Objekti në ndërtim i biznesmenit u sulmua dy herë me lëndë plasëse, konkretisht në muajit nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, ndërsa për shpërthimin e dytë ende nuk është arritur të zbulohen autoret.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar mëngjesin e së mërkurës, 16 shkurt, dhe i riu është arrestuar nga policia për t’u rikthyer në qeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë