Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka dënuar këtë të mërkurë Gjergj Cukalin me 25 vite burg, i dyshuar për ngjarjen e shpërthimit me eksploziv ndaj biznesmenit Gjon Mena në Kamëz në 9 shkurt 2021.
Cukali akuzohet për vrasje në tentativë ndaj Gjon Menës, shkatërrim prone me eksploziv, mbajtje arme e grup i strukturuar kriminal.
I penduari i drejtësisë, Enver Jamaku dënohet me 8 vite burg për futje sendesh në banesën e Edmond Saracit, kanosjes së avokatit Paulin Paplekaj dhe gjetjen të magazinuara të armëve luftarake në ambientet e Sokol Xhurës, si bashkëpunëtor i të parëve në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë Flor Abazi u dënua me 22 vjet, Blendi Deda 22 vjet, dhe Paris Prenga 21 vjet si bashkëpunëtorë.
Më herët, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën për dosjen, ndërsa çështja i kaloi për hetime, SPAK-ut.
Vëllezërit Jamaku, me statusin e dëshmitarit të drejtësisë kanë thënë se Cukali u ka premtuar dhënien e 30 mijë eurove, në këmbim që ai të vendoste tritolin në mjetin e biznesmenit Mena.
Në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan Enver Jamaku, me statusin e të penduarit, kushëriri i tij Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukali, që akuzohet se ka porositur atentatin.
Nga të dhënat hetimore ka rezultuar se mina nuk është vendosur poshtë automjetit, por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga ana e shoferit dhe kjo ka qenë arsyeja që Gjon Mena i ka shpëtuar vdekjes.
Në dëshminë e tij, Enver Jamaku pretendon që në dhjetor të vitit 2020, Gjergj Cukali i ka kërkuar dhe e ka porositur që për një shumë 30 mijë euro ai duhet të vinte në automjetin e Gjon Menës minën me telekomandë.
Ai ka pranuar dhe ka kërkuar ndihmën e kushëririt të tij, Ermondit. Në fshatin Ferraj, një kamerë sigurie ka fiksuar një automjet “Ford Fiesta” që Jamaku do e përdorte për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit.
Nga ky automjet është gjetur pronari i automjetit, i cili ka thënë se e kishte lënë në një servis për ta shitur dhe më pas pronari i servisit e kishte kontaktuar për ta shitur.
Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, Jamaku thotë se Cukali e ka kërcënuar se nuk e ka çuar deri në fund punën dhe nuk i ka dhënë 30 mijë euro, por 3 mijë. Jamaku thotë se ia ka dhënë paratë kushëririt të tij Ermond Jamakut, të cilit i kishte premtuar 5 mijë euro.
Enver Jamaku ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë emrin e porositësit. Cukali nuk konsiderohet si personi që ka interes të drejtpërdrejt për vrasjen e Gjon Menës, sepse nuk rezulton të ketë njohje të mëparshme apo shkak që ta vriste.
Por, prokuroria dhe policia kanë dyshime se Cukali është paguar nga persona të tjerë për të eliminuar Gjon Menën dhe më pas ka kontaktuar kushërinjtë Jamaku për të realizuar atentatin që dështoi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.