Lajme

Atentati në Tiranë, Preng Gjini jetonte i fshehur që pas vdekjes së vëllait

Detaje të reja kanë dalë nga atentati me eksploziv mbrëmjen e kaluar ndaj Preng Gjinit.

Forcat xheniere, nisur nga matjet në mjet, dyshojnë se në këtë atentat është përdorur 400 deri në 500 gram eksploziv. Lënda plasëse ishte vendosur sipër gomës së parë, nga ana e pasagjerit.

51-vjecari Preng Gjini ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Dëmtimet më të mëdha i ka marrë në pjesën abdominale, për shkak të të cilave ka kryer një intervent. Pavarësisht forcës së madhe shpërthyese, 51 vjecari nuk ka marrë dëmtime shumë serioze, sepse i ka shërbyer si mburojë motori i makinës.

Preng Gjinit vitin e kaluar iu ekzekutua vëllai, Armando Gjini i cili u vra para Katedrales në Rrëshen teksa me vete kishte dhe dy fëmijët.

Prej vdekjes së të vëllait, 51 vjecari ka jetuar i fshehur, pasi i druhej një atentati të mundshëm. Pjesën më të madhe të kohës ka jetuar në Tiranë, ndërsa 2 vajzat e tij dhe bashkëshortja jetojnë në Amerikë.

Ai kryente lëvizje shumë të pakta në kryeqytet dhe pjesën më të madhe të kohës ishte në shoqërinë e kushëririt të tij, që ka banesën shumë pranë vendit ku ndodhi shpërthimi.

Mjeti ku ishte vendosur lënda plasëse është në pronësi të kushëririt të Gjinit. Atentatorët kanë pasur si objektiv sulmi pasagjerin e mjetit, që në të shumtën e ditëve ishte 51 vjecari. Por, për rrethana që ende nuk dihet, mbrëmjen e djeshme ai lëvizi i vetëm në makinë, në pozicionin e drejtuesit të mjetit.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi në një prononcim për mediat mbrëmjen e kaluar u shpreh se ka dyshime të forta që kjo ngjarje të ketë ndodhur për hakmarrje për vrasjen e Kastriot Reçit në Rrëshen.

Hakmarrja e dy fiseve Reçi dhe Gjini në Rrëshen ka nisur prej vitesh duke pasur si zanafillë prishjen e pazareve te drogës. Nga familja Reçi, disa persona janë shoqëruar në polici, por nuk ka prova kundër tyre.

Atentati i mbrëmshëm u shoqërua edhe me dy të plagosur të tjerë që ishin kalimtarë, një italian dhe një 14-vjeçar, të kanë lënë spitalin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë