Bota

Shpërthim i madh në një rafineri nafte në Itali, dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur (video)

Gazeta Si – Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në një rafineri nafte të kompanisë “Eni” në Calenzano të Firences.

Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:15, në afërsi të qendrës tregtare “Gigli”.

Shpërthimi u dëgjua në zona të tjera të provincës dhe shumë njerëz në zonë publikuan fotografi dhe video që tregonin një kolonë tymi të zi.

Sipas të dhënave të fundit nga komuna, dy persona kanë vdekur dhe nëntë janë lënduar. Ndërkohë, raportohet edhe për katër të zhdukur.

Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur, por sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, shpërthimi ka ndodhur në zonën e uzinës, ku cisternat furnizojnë karburant.

Rreth orës 12:10 presidenti i Toskanës Eugenio Giani shkroi në Telegram se zjarri ishte shuar dhe se teknikët e Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit po punonin për të vlerësuar çdo efekt të shkaktuar nga substancat ndotëse.

Dhjetra ndërtesa në zonë u evakuuan, përfshirë kampusin universitar. Trenat midis Firences dhe Pratos u pezulluan dhe dalja nga autostrada A1 për Calenzano u mbyll.

Në kanalin “ËhatsApp Toscany”, thuhet se të gjitha spitalet dhe dhomat e urgjencës në zonë janë në gatishmëri.

Komuna e Calenzanos ka ftuar banorët të reduktojnë udhëtimet dhe të mbajnë dritaret e shtëpive të tyre të mbyllura.

Rreth orës 11:30, Mbrojtja Civile dërgoi një paralajmërim me sistemin e alarmit IT tek telefonat inteligjentë të njerëzve në një rreze prej 5 kilometrash nga uzina, duke u thënë atyre të mos i afroheshin uzinës dhe të gjenin strehë brenda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë