Shendet

Shpërndarja e vaksinave të programit Covax nis në fund të janarit

Programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të nisë shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit brenda këtij muaji. Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e OBSH-së për vaksinimin, Kate O’Brien, e cila njoftoi se nisma ka siguruar dy milionë doza, dhe të parat do të fillojnë të shpërndahen brenda javësh.

“Ne na duhen rreth shtatë miliardë dollarë në mënyrë që të mund të shpërndajmë vaksina të mjaftueshme në të gjitha vendet që janë bërë pjesë e kësaj nisme, deri në fund të vitit 2021. Deri më tani janë mbledhur 6 miliardë dollarë”, tha ajo. “Plani ynë është të nisim shpërndarjen e këtyre vaksinave me gjasë në fund të janarit dhe nëse nuk ndodh, atëherë shpërndarja do të nisë në fillim  të shkurtit”, theksoi ajo.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë Kosovën u bënë pjesë e COVAX-it me shpresën që vaksina do të mund të sigurohej në kohë, por pas vonesave, si Prishtina ashtu dhe Tirana janë në bisedime me Pfizer për marrjen e dozave të para direkt nga kompania.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se “10 750 dozat e para të vaksinës së kompaninë Pfizer do të mbërrijnë në fillim të javës së 3 të janarit, ndërsa 30 250 doza të tjera do të vijnë në muajin shkurt”.

Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës anti COVID, deklaroi kryeministri në deklaratën e parë për këtë vit.

Rama ka njoftuar se puna për sigurimin e vaksinimit nuk është ndalur me kaq, pasi sipas tij 9 mijë doza do të na i sjellin 2 vende partnere në mes të janarit.

Pas Shqipërisë, edhe Kosova ka siguruar edhe 535 mijë doza të vaksinës të prodhuara nga kompania, Pfizer si dhe 600 mijë doza të tjera nga Austria.

Vaksinat e para në Kosovë është thënë se do të arrijnë në muajin shkurt dhe sipas një strategjie të prezantuar nga qeveria, Kosova mendon që të vaksinojë kundër koronavirusit, rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës.

Covax synon të sigurojë vaksina për 20% të popullsisë në secilin vend pjesëmarrës deri në fund të vitit, me fonde të mbuluara nga 92 ekonomi me të ardhura të ulëta dhe të ulëta të mesme të përfshira në skemë. Nisma drejtohet nga OBSH, aleanca e vaksinave Gavi dhe Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI).

OBSH dha miratimin emergjent për vaksinën Pfizer-BioNTech në 31 dhjetor, duke hapur rrugën që vendet në mbarë botën të japin miratimin e shpejtë të importit dhe shpërndarjes së saj.

Sa i përket mutacioneve të reja të virusit të zbuluara në Britani dhe Afrikën e Jugut, ekspertët e OBSH-së kanë thënë se ndërsa ato duken më të transmetueshme, nuk ka asnjë tregues se vaksinat aktuale nuk do të funksiononin kundër tyre varianteve dhe se vaksinat janë lehtësisht të adaptueshme në çdo rast .

O’Brien tha se ishte herët për të treguar se sa kohë do të zgjaste mbrojtja për vaksinimin pasues dhe OBSH nuk kishte të dhëna ende për të bërë ndonjë rekomandim për marrjen e dozave të vaksinave të ndryshme, pasi kishte shqyrtuar plotësisht vetëm goditjen Pfizer-BioNTech.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë