Ka ndodhur

Shpërndante kokainë në zonën e ish-Bllokut, arrestohet 44-vjeçari

Nga Gazeta Si - Një 44-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Tiranës, pasi shpërndante kokainë në zonën e ish-Bllokut.

Policia thotë se nga veprimet hetimore ka rezultuar se 44-vjeçari Leonard Abdia, pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e shiste më pas në doza, në zonën e ish-Bllokut.

Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 51 gram lëndë narkotike kokainë, të ndarë në 80 doza, gati për shitje dhe shumën e parave 147 900 lekë të rinj.

“Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard Abdia, 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, shuma e parave një automjet dhe dy aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë