Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Jashtme ka reaguar pas lajmit se dy shqiptarë janë shpallur non grata nga Serbia, të cilët ishin atje për të marrë pjesë në një seminar.
Një grup policësh civilë bastisën mëngjesin e djeshëm hotelin ku po qëndronin aktivistët nga disa vende Europiane, të cilët ndodheshin aty në kuadër të një “workshopi” për ekonominë.
Mes tyre ishin katër vajza kroate dhe dy shtetas shqiptarë. Ata u shoqëruan në polici, u morën në pyetje për orë të tëra dhe u detyruan të firmosin dokumente pa ditur përmbajtjen, që rezultuan se ishin fletë dëbimi për një vit nga Serbia me arsye për “sigurinë kombëtare”.
Në një postim në Facebook, ministria e Jashtme bën me dije se ka thirrur në takim ambasadorin e Republikës së Serbisë, Slobodan Vukçević dhe i ka shprehur shqetësimin mbi këtë rast.
Ministria thotë se ka kërkuar që autoritetet serbe të rishikojnë këtë vendim dhe të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen.
“Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra.
U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd”, thuhet në postim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.