Ngjarje

Shpallet studio fituese për Qendrën Multifunksionale të Vjosës, Kumbaro: Në 2024-n merr jetë projekti

Nga Gazeta Si- U finalizua sot konkursi ndërkombëtar i dizajnit për “Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosa” me fitues studion projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.

Projekti i dizajnit të grupit fitues u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës. Në konkurs morën pjesë 16 studio vendase dhe të huaja.

Juria e përbërë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, shefi ekzekutiv i Patagonia Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të mjedisit, arkitektonikës e planifikimit të territorit vlerësoi projektin e kësaj studioje si më kreativi dhe inovativi  në përputhje me kriteret e shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për këtë konkurs.

Gjatë fjalës së saj në prezantimin e projekteve finaliste, ministrja Kumbaro u shpreh se kjo qendër do të shërbejë si portë hyrëse e vizitorëve të parkut dhe do t’i pajisë ata me gjithë informacionin e nevojshëm për një përvojë gjithëpërfshirëse në të.

“Do të zgjedhim një projekt për të ndërtuar një Portë për Parkun Kombëtar, që do të marrë siluetën e një  qendre moderne vizitorësh, pikënisje e udhëtimit të shumë turistëve prej nga do të marrin informacion për vlerat e Parkut, shtigjet e ecjes, turet, vendet për të fjetur e kështu me radhë, por edhe ku do të tregohen vlerat e jashtëzakonshme të këtij laboratori natyror”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Plani i studios fituese do jetë një dhomë kryesore që të çon tek hapësirat e tjera.

Do ketë hapësira gatimi, dëfrimi apo dhe hapësira ku mund të shohësh televizor apo të blesh rroba dhe secila prej tyre do funksionojë më vete si ekspozitë, klasë etj.

Përfaqësuesi i studios projektuese “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” falënderoi jo vetëm për vendimin, por edhe që ishin pjesë e këtij konkursi.

“Mendoj që kjo është një provë e fortë që arkitektura nuk ka të bëjë vetëm me të bukurën, por edhe me ndryshimin e transformimin”, shtoi ai.

“Arkitektura është mjeti për të bërë gjënë e duhur, simbolizon këtë proces për të shkuar diku dhe shpresoj se do ta zhvillojmë projektin së bashku, ta bëjmë më të mirë si ekip. Presim me padurim ta bëjmë këtë gjë, jam një tifoz i asaj çfarë po bëni dhe i Patagonias”, tha ai.

Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.

Në konkursin e lançuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me mbështetjen e Patagonia dhe IUCN morën pjesë 16 studio vendase dhe të huaja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë