Ana e errët

Shokët që u ‘çmallën’ me elektroshok dhe doreza metalike

foto ilustruese per nje sherr mes te rinjve

Nga Gazeta Si - Dy grupe të rinjsh zbritën nga automjetet dhe të irrituar as që u frenuan të godasin njëri-tjetrin. Madje nuk u bëri aspak përshtypje prezenca e policisë.

Policia e komisariatit numër 6 e vuri re gjendjen e acaruar mes të rinjve gjatë patrullimit të shërbimeve në rrugën “Teodor Keko” dhe siç thonë burimet e Gazetës Si, policia ndërhyri pa asnjë hezitim.

“Mjetet u konstatuan të ndaluara në rrugë, - thotë policia dhe në këtë moment shërbimet ‘Shqiponja’ u afruan për të bërë të mundur shuarjen e konfliktit mes tyre. Gjatë verifikimit të makinave, njëri golf- 5  gjendeshin dy persona me inicialet M. P dhe pasagjer A. Q, kurse në automjetin tjetër audi –a7 ishin dy të rinj të tjerë të identifikuar me inicialet M. A dhe F. G”, dëshmojnë më tej policët në shkresat e përpiluara që sollën arrestimin e 20-vjeçarit H.Q, nën akuzë për mbajtje të armëve të ftohta.

Por ajo që policët e përshkruajnë si send të ndaluar nga ligji ishte një dorezë metalike, në ngjyrë të zezë të cilën i dyshuari e mbante të futur në një çantë marsup të hedhur në qafë. Por kur të katër të rinjtë kundërshtarë u shoqëruan në komisariat dhe kur vetëm njëri prej tyre përfundoi i arrestuar, secili prej tyre ka nisur nga argumentet dhe justifikimet.

“Nuk e dija që kisha dorezë metalike në çantë, është hera e parë që më ndodh një gjë e tillë dhe s’para më ndodh të bëj sherre”, thotë 20-vjeçari që duke u përpjekur ta bindë policinë për qetësinë dhe qëndrimin larg telasheve shton më tej: jam në shkollë në një kurs për autoservis. Mos më arrestoni, u gjenda në momentin e gabuar në mes të një keqkuptimi. Ju kërkoj falje për këtë veprim timin që mbaja një dorezë metalike.

I riu tjetër dëshmon në polici se erdhi në Tiranë për arsye familjare. “Gjendem në këtë qytet mbasi kam bashkëshorten sëmurë me rrezik dështimi. E mora në telefon shokun H. Q dhe i thashë hajde pimë një kafe te lokali B., mbasi ne njihemi se jemi afër në Berat. Pashë që kishte një çantë në sup dhe ai është tip i qetë. Duke dalë xhiro me H. Q pashë në rrugë duke lëvizur me mjet shtetasin F. G.

I bëra me shenjë të ndalojë dhe hapëm krahun edhe ne. Kur kemi zbritur nga makinat i thashë, - përse ma ke ngacmuar kunatën dhe në këtë moment aty ja behu policia. Pala tjetër që u pyet e veçuar nga dy shokët jep një alibi tjetër, duke shkuar deri aty sa hedh dyshime nëse policët kanë apo jo probleme me shikimin. Burimet i thonë Gazetës Si pjesë nga dëshmia e të riut me inicialet F. G që po udhëtonte me makinën audi A7 dhe po shkonte drejt Astirit.

“Ma bëri për të ndaluar dhe me shenja një mjet Golf 5 me ngjyrë të zezë dhe ndalova. Unë dola nga makina dhe ai doli nga makina, i dhamë dorën njëri-tjetrit se kishim kohë pa u parë dhe në atë moment erdhi patrulla dhe na pyeti “çfarë keni me njëri-tjetrin.

I thamë që nuk kemi gjë me njëri-tjetrin, pasi ne njihemi e jemi shokë. Po patrulla këmbënguli dhe na kontrolloi dhe në derën e shoferit tim u gjet një elektroshok dhe na shoqëruan për veprime të mëtejshme mua dhe shokun tim që ishte në makinë drejt policisë", tha ai.

Por në përfundim mbasi i ka dëgjuar të dyja palët, duket se policia është bindur mbi alibinë e vetëm njërës prej tyre, mbasi vetëm njërin nga të rinjtë ka arrestuar, atë me dorezë metalike. Kurse të rinjtë në mjetin Audi ia hodhën paq, ndonëse edhe ata kishin sende të ndaluara siç është elektroshoku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë