Ngjarje

Shoferi italian ecën kundravajtje në autostradë, humb jetën 35-vjeçarja shqiptare

Gazeta Si - Një 35-vjeçare shqiptare, Matilda Hidri humbi jetën tragjikisht në një aksident të rëndë që ndodhi në Genoa të Italisë.

Mediat italiane raportojnë se makina e saj u përplas “kokë më kokë” me një tjetër mjet, i cili udhëtonte kundravajtje në autostradë.

Hidri ishte e martuar dhe nënë e një djali 10-vjeçar. Ata kishin një biznes në “zemër” të qytetit të Genoa-s, një piceri që e kishin hapur në maj të këtij viti.

Në aksident u përfshinë një “BMW” që drejtohej nga 35-vjeçarja dhe një fuoristradë tip “Volvo” që drejtohej nga 46-vjeçari italian, Giuseppe Garavaglia.

Shkak i aksidentit ka qenë 46-vjeçari, i cili për 5 kilometra kishte udhëtuar kundravajtje në korsinë e gabuar të autostradës.

Deri më tani nuk dihen arsyet e kësaj tragjedie të vërtetë përse italiani ka lëvizur në korsinë e gabuar.

Për të ndihmuar në zbulimin e dinamikës së aksidentit, autoritetet po monitorojnë kamerat e sigurisë në zonë. Ndërkohë pritet që trupi i Matildës t’i nënshtrohet një autopsie.

Nga përplasja e fortë mes dy mjeteve që janë shkatërruar mbetën të vdekur në vend të dy drejtuesit e mjeteve, 35-vjeçarja Matilda Hidri dhe 46-vjeçari Giuseppe Garavaglia.

Të dy viktimat udhëtonin të vetëm në automjetet e tyre dhe sipas dëshmitarëve “Volvo” ka qenë me një shpejtësi relativiht të lartë.

Tre persona të tjerë mbetën të plagosur nga ky aksident, një fëmijë 4 vjeç, një grua 34-vjeçare dhe një 35-vjeçar.

Këta të tre udhëtonin me një makinë “Volkswagen” pas makinës së Matilda Hidrit dhe u përfshinë gjithashtu në aksident.

“Pashë një makinë që lëvizte në drejtim të gabuar në autostradë. Ai po udhëtonte me shpejtësi të madhe në drejtim të kundërt në korsinë që zakonisht përdoret për parakalim, - shkruante një automobilist në rrjetet sociale. - Më duhej të shikoja dy herë në pasqyrën e pasme për të bindur veten se ajo që kisha parë ishte e gjitha e vërtetë. Pas pak minutash ndodhi e pashmangshmja. Këmbët më dridhen ende. Unë mund të kisha qenë në mesin e viktimave. Ishte thjesht çështje kohe”, - rrëfen ai, i cituar nga mediat lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë