Ngjarje

Shkundet toka në Korçë, 10 tërmete në 3 orë; dëme e të plagosur

Dhjetë tërmete janë regjistruar në harkun kohor të katër orëve dhe që të gjithë me epiqendër në jug dhe jug-lindje të qytetit të Korçës me magnitudë që varion nga 2.2 deri në 5.

Tërmeti i parë me magnitudë 4.9 është, sipas Qendrës Mesdhetare të Sizmiologjisë është regjistruar në orën 06:26 minuta. Epiqendra ka qenë 17 kilometra në jug të qytetit të Korçës me një thellësi prej 10 kilometrash. Lëkundjet janë ndjerë fort në Korçë, Bilisht dhe Pogradec.

Pesë minuta më vonë regjistrohen lëkundjet më të forta me magnitudë 5. EMSC raporton se në orën 06:33 minuta 10 kilometra në jug të qytetit Korçës dhe në një thellësi po prej 10 kilometrash nga sipërfaqja ishte epiqendra e tërmetit të dytë. Lëkundjet u ndjenë të forta në të gjithë rajonin e Korçës.

Dëme të mëdha raportohen në fshatin Floq, siç shihet në këto foto të publikuara nga “Korça Report”. Ketu ishte epiqendra e tërmetit, që sipas EMSC ishte me magnitudë mbi 5 ML. Kater persona kanë mbetur të dëmtuar në kokë dhe gjymtyrë si pasojë e shembjes së banesës. Të gjitha banesat e fshatit kanë pësuar dëmtime, disa prej të cilave më fort se të tjerat, duke u shndërruar në të pabanueshme. Po, ashtu dëme të mëdha materiale raportohen edhe nga fshati Mollas në Ersekë.

Në orën 06:43 minuta lëkundjet ishin të një intensiteti më të ulët. Bëhej fjalë për një tërmet me magnitudë 3.7 me epiqendër 20 kilometra në jug të Korçës, por që u ndje po aq fuqishëm sa dy të parët, për shkak se siç raporton EMSC, thellësia e tij ishte vetëm 3 kilometra nga sipërfaqja e tokës.

Lista e tërmeteve të regjistruara nga ora 06:26 me orën tonë, deri në orën 09:30 minuta, sipas EMSC

Në orën 6 e 51 minuta u regjistruan lëkundjet e radhës. Lëkundjet ishin me magnitudë 4.4, 18 kilometra në jug të Korçës dhe me një thellësi prej 10 kilometrash në thellësi. Tre minuta më vonë toka u lëkund sërish. Tërmeti kishte një magnitudë 3.2 me epiqendër 17 kilometra në jug të Korçës dhe thellësi 4 kilometra nga sipërfaqja.

Në orën 08:09 minuta, EMSC raporton lëkuundjen e radhës, Epiqendra ishte pranë Bilishtit në një thellësi prej 2 kilometrash nga sipërfaqja dhe magnitudë 2.5. Në orën 8 e 20 minuta sërish pranë Bilishtit toka lëkundet sërish. Tërmeti kishte një magnitudë 3.7 dhe thellësi 2 kilometra. Lëkundjet u ndjenë të forta sidomos në qytetin e Bilishtit.

Në orën 09:00 ishte tërmeti i tetë dhe me magnitudë 4.8. Epiqendra ishte 14 kilometra në jug të Korçës dhe në një thellësi prej 10 kilometrash nga sipërfaqja. Dy lëkundje të tjera me nga 3.3 dhe 3.5 u regjistruan nga EMSC nga ora 09:00 deri në orën 10:00.

Lëkundjet e njëpasnjëshme përhapën panik në qytet, ku për minuta me radhë banorët e disa zonave qëndruan jashtë në lulishte, në pritje të qetësimit të situatës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Floq dhe Dvoran janë dëmtuar 70 banesa, 50 prej tyre të vjetra dhe të pabanuara prej vitesh. Në Qafëzez janë dëmtuar 10 banesa, ndërsa në Vidohovë 20 të tjera, kryesisht shtëpi të vjetra dhe të pabanuara. Prefektura e Korçës njofton gjithashtu se për banorët e këtyre zonave emergjencat civile kanë nisur pajisjen me çadra për t’u strehuar, deri në një moment të dytë.

Ministria e Mbrojtjes thotë se po ndjek nga afër situatën. Megjithatë, ministria thotë se nuk është raportuar një situatë e jashtëzakonshme dhe se institucionet qendrore dhe vendore janë në gatishmëri.

Tërmetet, dukuri e rrallë për korçarët

Tërmet nuk janë një dukuri e pazakontë për Shqipërinë, por për rajonin e Korçës po. Për të gjetur një tërmet të përmasave të ngjashme në këtë zonë duhet të kthehemi vite pas në kohë. Hera e fundit që korçarët mbajnë mend lëkundje të tilla është mesi i viteve 1980. Dëmet ishin më të pakta, ndërkohë që nuk pati të lënduar.

Tërmeti i madh i 1979, që goditi qytetin e Shkodrës e Lezhës, ashtu si në shumë zona të tjera të vendit, u ndje edhe në Korçë, por lëkundjet veç dëmeve materiale të pakta nuk shkaktuan asnjë pasojë tjetër.

Nisur nga ky historik i shkurtër, por edhe nga të dhënat e grumbulluara që prej mesit të shekullit të 19-të, rajoni i Korçës është konsideruar nga sizmiologët si rajon me rrezikshmëri të ulët sa i takon aktivitetit sizmit.

Rajoni me rrezikshmërinë më të lartë dhe me aktivitet sizmik më të dendur konsiderohet pjesa perëndimore e vendit.

“Pjesa perëndimore duke nisur që nga Shkodra deri në Sarandë e më poshtë, Konispol deri në pjesën e jashtme joniane-adriatike, është me aktivitet sizmik. Ka pasur periudha me aktivitet të lartë, periudha me aktivitet të vogël, të shpërndarë në mënyrë sporadike pa ndonjë rregull”, deklaroi pak kohë më parë për gazetën “Si”, sizmiologu Rexhep Koçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë